– “Atij (Kur’anit) nuk mund t’i atribuohet e pavërteta nga asnjë anë.” – Kur’anit nuk mund t’i afrohen shejtanët, njerëz apo xhindë qofshin ata, për t’i hequr apo për t’i shtuar diçka që s’është e tij. Ai nuk mund të tjetërsohet dhe ndryshohet. Kur’ani është i sigurt dhe i ruajtur si në aspektin e tekstit, edhe në kuptimet që përcjell. Allahu që e shpalli këtë Kur’an ka premtuar: “Ne e shpallëm Kur’anin dhe Ne jemi mbrojtës të tij.” [Hixhër 9]. Dhe, vërtet, Ai e ka ruajtur tekstin e këtij libri nga ndryshimet e tjetërsimet, ashtu siç ka ruajtur kuptimet dhe shpjegimet e tij nëpërmjet traditës dhe Sunetit të profetit Muhamed. Kështu është përcjellë ky Kur’an nga zanafilla e tij, brez pas brezi, nën kujdesin e të Madhërishmit.
– “Ai është Shpallje prej të Urtit, të Lavdëruarit.” – Ai që e shpalli dhe e ruan këtë Kur’an është Hakim – i Urtë. Ai është i Urtë si në krijimin, ashtu edhe në ligjin e urdhrat e Tij. Çdo gjë që Allahu ka krijuar dhe çdo ligj që ka vendosur është në vendin e vet. Allahu është Hamid – i Lavdëruar për të gjithë ato cilësi të mrekullueshme dhe atribute të shkëlqyera, për drejtësinë dhe bamirësinë e Tij. Ai është Allahu i Vetëm e Absolut dhe e tillë është edhe fjala e Tij, Kur’ani madhështor. Kur’ani është fjala e Allahut, prandaj është i mbushur me urtësi të plotë. Nëpërmjet tij arrihet çdo mirësi dhe begati, e largohet çdo e keqe dhe fatkeqësi. Fjala e Tij është mirësia më e madhe për krijesat, për të cilën Ai duhet të lavdërohet e falënderohet.