Select Page

– “Kur atyre u erdhën të dërguarit në çdo kohë, duke i këshilluar: “Mos adhuroni asgjë tjetër përveç Allahut”, ata thanë:…” – Pra, të dërguarit e Zotit shkonin njëri pas tjetrit, për t’u kujtuar Zotin dhe për t’i ftuar në adhurimin e Tij. Mesazhi i të gjithë profetëve ka qenë i njëjtë: Mos adhuroni asgjë tjetër veç Allahut. Ata kanë urdhëruar për sinqeritet ndaj Allahut dhe kanë ndaluar nga idhujtaria, me të gjitha format dhe rrugët e saj. Megjithatë, ata i refuzuan porositë e Zotit, duke i konsideruar gënjeshtra dhe trillime. Ata thanë:

– “Po të donte Zoti ynë, do të dërgonte melekë (të na këshillonte). Prandaj ne nuk i besojmë mesazhit që përcillni ju.” – Kuptimi: Ju jeni njerëz të zakonshëm si ne, prandaj nuk e pranojmë thirrjen tuaj. Ky lloj justifikimi i kotë vazhdon e përsëritet nga njerëzit. Ai është vërtet justifikim pa bazë, sepse nuk është kusht që të jesh melek për të qenë profet. Asnjëherë nuk ka ekzistuar një kusht i tillë.

Që një profet të dëshmojë se ai vërtet është i dërguar dhe i ndihmuar nga Zoti në misionin e tij, mund të sjellë mrekulli prej Zotit. Nëse profeti i sjell mrekullitë dhe argumentet e dukshme për vërtetësinë e tij, atëherë kundërshtarët le të mblidhen dhe t’i hedhin poshtë ato me argumente të tjera! Por kjo është e pamundur të ndodhë. Ata kurrë nuk mund të hedhin poshtë mrekullitë dhe faktet e sjella nga një profet i Allahut.