Select Page

“Ai krijoi shtatë qiej brenda dy Ditëve, duke i caktuar secilit qiell detyrën dhe urdhrin e tij. Dhe Ne e zbukuruam Qiellin më të afërt me drita dhe e bëmë të mbrojtur. I tillë është Krijimi (e përcaktimi) i të Plotfuqishmit të Gjithëditur.” – Për çdo qiell u dhanë urdhra dhe u caktuan ato që ishin të nevojshme, ashtu sikurse di të vendosë më i Urti. Ndërsa qielli i dynjasë u zbukurua me yje, nëpërmjet të cilëve krijesat ndriçohen dhe udhëzohen në errësirë. Yjet janë zbukurim për qiellin e errët, por shërbejnë edhe si gjuajtës për shejtanët e mallkuar, për të mos i lejuar që të dëgjojnë dhe të vjedhin nga lajmet e qiellit.

Toka dhe qielli me gjithçka mes tyre u krijuan sipas përcaktimit të Krenarit të Gjithëditur. Me krenarinë dhe pushtetin e Tij të plotë, Ai i nënshtroi krijesat e tashmë administron çështjet e tyre. Ndërsa me dijen e Tij, Allahu i ka përfshirë të gjitha krijesat, të dukshmet dhe të padukshmet. Megjithatë, politeistët i largohen përkushtimit me sinqeritet ndaj Zotit të Madhërishëm, që është i Vetëm dhe Ngadhënjimtar mbi gjithçka. Allahut i janë nënshtruar të gjitha krijesat dhe çdo gjë funksionon sipas përcaktimit dhe dëshirës së Tij, por, në vend të Tij, mushrikët adhurojnë idhuj. Ky shkëmbim është tepër i çuditshëm, kur dihet se idhujt e tyre kanë cilësi të mangëta e të ulëta. Sidoqoftë, nëse vazhdojnë në kundërshtimin dhe mohimin e tyre, për ta nuk ka shpagim tjetër veç ndëshkimit në këtë jetë dhe në jetën tjetër.