– “Thuaj: “Unë jam veçse një njeri, sikurse edhe ju. Mua më shpallet se Ai që meriton adhurimin tuaj është Allahu Një dhe i Vetëm. …” – Kuptimi: Thuaju atyre, o Profet, se kjo është detyra ime dhe këto janë cilësitë e mia. Unë jam një njeri, ashtu si ju, dhe nuk kam në dorë asnjë çështje. Edhe ndëshkimi, që ju e kërkoni me ngulm që t’ju përshpejtohet dhe ta shihni me sy, nuk është në dorën time. E vetmja veçori me të cilën Zoti më ka dalluar mua mbi ju, është shpallja e Kur’anit dhe Urtësisë, për të cilët më ka urdhëruar që të jetoj sipas tyre dhe t’ju ftoj edhe ju ta bëni një gjë të tillë.
– “… Prandaj përqendrohuni në rrugën drejt Tij dhe kërkoni falje prej Tij!” – Kuptimi: Ndiqni rrugën e qartë dhe të drejtë, që ju çon drejt Zotit të Lartësuar, duke pohuar dhe besuar çdo lajm që Ai kumton, dhe duke ruajtur kufijtë e Tij, me zbatimin e urdhrave dhe largimin nga ndalesat, në shenjë dëshurie, nënshtrimi dhe madhërimi për Të. Vetëm kështu mund të quheni të përqendruar në rrugën e drejtë të Zotit. Në ajet thuhet: “… përqendrohuni në rrugën drejt Tij”, që nënkupton pajisjen me sinqeritet për Allahun e Madhëruar. Pra, shërbestarët e ahiretit duhet që me punën e tyre të synojnë vetëm kënaqësinë e Allahut të Madhëruar.
Qëllimi i tyre i vetëm të jetë arritja e takimit me Allahun e Lartësuar dhe me Xhenetin e Tij, vendin ku Allahu do t’i begatojë me bujarinë e Tij. Në këtë mënyrë, pra, duke punuar sipas Shpalljes dhe porosisë së Zotit dhe duke i kryer këto punë me sinqeritet vetëm për të kënaqur Zotin, veprat e tyre do të jenë të mira, të pranueshme dhe të shpërblyeshme. Në të kundërt, nëse njëri nga këto kushte cenohet, veprat e tyre do të jenë të kota dhe të pavlefshme. Megjithatë, robi patjetër do të cenojë kushtet e qëndrueshmërisë ose duke lënë ndonjë urdhër pa kryer ose duke bërë ndonjë haram. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar porosit që këto mangësi të kurohen me kërkim faljeje dhe pendim të sinqertë sa herë që të ndodhin. Pastaj i Lartësuari i kërcënon ata që largohen nga rruga e drejtë, duke thënë:
– “Mjerë për ata, që adhurojnë zota të tjerë veç Tij, e që nuk e japin zekatin dhe mohojnë edhe Jetën Tjetër!” – Mjerë për ata të cilët adhurojnë idhuj, të cilët nuk kanë në dorë as dëm e as dobi, as vdekje, as jetë e as ringjallje. Ata jo vetëm që nuk e pastrojnë vetveten, por zhyten më thellë në llumin dhe pisllëkun e idhujtarisë e mosbindjes. Ata nuk e pastrojnë veten nëpërmjet teuhidit, nuk e pastrojnë veten duke u pajisur me sinqeritet ndaj të vetmit Zot që meriton adhurimet, ndaj Allahut të Gjithëmëshirshëm. Ata nuk falin namaz dhe nuk japin zekatin. Ata nuk tregojnë bamirësi me krijesat, duke i ndihmuar dhe udhëzuar drejt. Përveç këtyre cilësive të ulta, ata nuk besojnë se do të ringjallen dhe as në ekzistencën e Xhenetit dhe Xhehenemit. Për këtë arsye, ata jepen tërësisht pas gjërave që i dëmtojnë dhe që do i dëshpërojnë në ahiret. Pasi foli për mohuesit, Allahu i Madhërishëm vijon me besimtarët, duke përshkruar cilësitë e tyre dhe shpërblimin që i pret: