– “Një Libër, ajetet e të cilit janë shpjeguar me hollësi, një Kur’an në arabisht …” – Kur’ani ka shtjelluar dhe sqaruar çdo çështje në mënyrë të plotë. Ajeti tregon se sqarimi i çështjeve të përmendura në këtë libër është i tërësishëm, duke përmendur çdo element të nevojshëm për të treguar vërtetësinë e gjërave. Gjithashtu, Kur’ani është në arabisht, me një gjuhë të pastër, të qartë e të plotë.
– “… për njerëzit që kuptojnë,.” – Ashtu sikurse janë të qarta fjalët dhe shprehjet e Kur’anit, po ashtu janë të qarta edhe kuptimet e përnxjerra prej tij. Në këtë mënyrë, ata që dinë do të mund të dallojnë udhën e drejtë nga e gabuara ose të vërtetën nga e kota. Ndërsa për injorantët, ky libër nuk bën dobi, por përkundrazi, ua shton humbjen, devijimin dhe verbërinë. Nga fjala e Zotit përfitojnë të diturit, ndërsa mohuesit e të padrejtët nuk përfitojnë prej saj, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Nuk ka dyshim se për ata që mohojnë Besimin, është njëlloj: i paralajmërove apo nuk i paralajmërove, ata nuk besojnë. Allahu ua ka vulosur zemrat dhe të dëgjuarit e tyre dhe në shikimet e tyre ka perde. Ata do të kenë dënim të madh.” [Bekare 6 – 7].