Select Page

– “Është Allahu Ai që jua bëri Tokën vendbanim …” – Allahu i Madhëruar e bëri Tokën një vend të qëndrueshëm dhe të përshtatshëm, që njerëzit të plotësojnë nevojat e tyre. Ata mund ta punojnë tokën, ta plugojnë, ta mbjellin, të ndërtojnë banesat mbi të ose të udhëtojnë dhe të qëndrojnë në të.

“… e qiellin çati.” – Domethënë, e bëri qiellin si çati mbrojtëse për tokën, ku ju qëndroni e jetoni. Allahu i Madhëruar ka vendosur në qiell çdo gjë të domosdoshme për jetën në tokë. Ai i ka bërë yjet e qiellit si orientues, nëpërmjet të cilëve ju udhëzoheni kur është errësirë në tokë apo në det.

– “Ai ju dha formë. Ai e përkreu formën tuaj …” – Asnjë krijesë e gjallë nuk ka pamje më të bukur e më të mirë se njeriu, sikurse thotë i Madhëruari në ajetin tjetër: “Ne e kemi krijuar njeriun në formën më të mirë.” [Tin 4]. Nëse dëshiron të njohësh dhe të kuptosh bukurinë dhe plotësimin e njeriut, si dhe urtësitë e Allahut të Lartësuar në krijimin e Tij, vështroje atë me kujdes, gjymtyrë për gjymtyrë. A mund të gjesh ndonjë prej tyre që nuk është në vendin e vet apo të papërshtatshme për atë pozicion?

Medito pak edhe për tërheqjen e zemrave të njerëzve kundrejt njëra-tjetrës: a ndodh kjo me krijesat e tjera? Shiko se si e ka dalluar Zoti njeriun mbi të tjerët, duke i dhënë mendje, forcë, arsyetim, iman, dashuri për Zotin dhe aftësi për të nxënë dituri. Këto janë disa nga dhuntitë që i Madhëruari u ka falur njerëzve, krijesave më të bukura.

“… dhe ju begatoi me të mira.” – Këtu përfshihen të gjitha mirësitë: ushqimi, pija, veshja, marrëdhëniet intime, kënaqësitë e shikueshme, të dëgjueshme etj., të cilat Zoti ua mundësoi robërve  të Tij për t’i patur dhe shfrytëzuar. Është Ai që ua lehtësoi edhe rrugët e arritjes së këtyre mirësive. Prej mirësive të Allahut është edhe fakti që Ai i ndaloi ata nga çdo ligësi e dëmshme dhe e pisët, që u cenon apo prish mirësitë e tyre, që u dëmton trupin, zemrën, shpirtin, fenë dhe besimin e tyre.

– “I tillë është Allahu, Zoti juaj.” – Ai i Cili kujdeset për ju, Ai që ju fal gjithë këto mirësi dhe Ai që rregullon të gjitha çështjet tuaja është vetëm Allahu. Ai është i vetmi i Adhuruar, i vetmi Krijues dhe Zotërues i çështjeve.

– “I Lartësuar qoftë Allahu, Zoti i botëve!” – U madhëroftë dhe u shtofshin mbi ne mirësitë dhe begatitë e Tij! Ai kujdeset për të gjithë botën me bujarinë dhe bamirësinë e Tij.