– “Zoti juaj ka thënë: “M’u lutni Mua, që Unë t’ju përgjigjem!” – Ky ajet tregon për butësinë dhe mëshirën e Allahut ndaj robërve , si edhe për mirësitë e bujarinë e Tij të pakufishme. Ai i fton vazhdimisht robërit e Tij në çdo gjë që rregullon si fenë e besimin e tyre, ashtu edhe dynjanë e tyre. Ai i urdhëron robërit që t’i drejtohen dhe t’i luten Atij me të dyja llojet e lutjes: me lutjen e adhurimit dhe me lutjen e kërkesës së drejtpërdrejtë. 159
Allahu i fton ata që të luten, duke premtuar se do t’u përgjigjet. Por, nga ana tjetër, Allahu i kërcënon ata që tregohen kryeneçë dhe refuzojnë që ta adhurojnë dhe t’i luten Atij, duke thënë:
– “Por ata që, nga mendjemadhësia, i shmangen adhurimit Tim, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”.” – Të tillët do të flaken në Xhehenem të poshtëruar e të përçmuar. Pra, ata do të vuajnë jo vetëm dhimbjet e atjeshme, por edhe poshtërimin. Ky është shpërblimi me drejtësi për arrogancën e tyre.
159 Shih shpjegimin e këtyre dy llojeve të lutjes te surja Bekare ajeti 186.