Select Page

  Në ajetet e mësipërme, i Madhëruari tregoi se çfarë ndodhi me Faraonin dhe ushtrinë e Tij dhe se ku i çoi kundërshtimi e arroganca e tyre. Më pas, Ai përmendi gjykimin gjithëpërfshirës për ta dhe për të gjithë banorët e Zjarrit. Pas të gjitha këtyre, i Lartësuari tregon për mirësitë e mëdha që u dhuroi Musait dhe besimtarëve që pasuan rrugën e tij. Ai thotë:

“Ne i dhamë Musait Udhëzimin, ndërsa bijve të Israilit u lamë në trashëgim Librin, si Udhërrëfyes e Përkujtues për njerëzit që kuptojnë.” – “El Huda” ose “udhëzimi” quhet dituria dhe argumentet e qarta, nëpërmjet të cilave gjejnë udhën e drejtë ata që e kërkojnë dhe e synojnë atë. Ndërsa Shpalljen e dhuruar Musait, Allahu i Madhëruar ua la në trashëgim ithtarëve të Librit. Ata duhet ta përcillnin këtë trashëgimi brez pa brezi, me besnikëri.

Kjo shpallje ishte Teurati, në të cilin ishte udhëzimi, dituria rreth ligjeve të fesë dhe çdo lloj diturie e nevojshme. Në të tregohej mirësia, si dhe rrugët për arritjen e saj. Teurati ishte për besimtarët nxitje për të arritur të mirën dhe paralajmërim që të ruheshin nga e keqja. Ky  libër ishte udhëzim dhe ndriçues veçse për ata që Allahu i Madhëruar i quan “ulul elbab” – mendarët, të mençurit, të urtët, të diturit.