– “Ju më thërrisni që të mohoj Allahun dhe të adhuroj veç Tij zota të tjerë, për të cilët nuk kam asnjë dije, ndërsa unë ju ftoj të adhurojmë të Gjithëfuqishmin, Falësin e Madh.” – Kuptimi: Ju më ftoni të adhuroj dikë tjetër si Zot, ndërkohë që ju nuk keni asnjë fakt për këtë pretendim. Ju trilloni të pavërteta rreth Zotit. Ju flisni rreth Tij pa pasur dituri, dhe ky është një nga gjynahet më të mëdha. Ndërsa unë ju ftoj që të adhurojmë vetëm Allahun, Krenarin e Plotfuqishëm, Falësin e madh të gjynaheve.
Ju ftoj t’i përkushtoheni Krenarit, të Cilit i takon e gjithë fuqia dhe pushteti, ndërsa të tjerët nuk kanë asgjë në dorë. Unë ju ftoj të ktheheni të penduar tek Ai, që është El Gaffar – Falësi i madh. Kthehuni tek Allahu, i Cili, me gjithë pushtetin e Tij për gjithçka, i mëshiron dhe afatizon robërit e Tij, të cilët e ngarkojnë veten e tyre me gjynahe dhe vepra që e zemërojnë Atë. Nëse ata pendohen dhe i kthehen të nënshtruar, Ai ua fal dhe mbulon gjynahet dhe veprat e këqija. Me faljen e këtyre gjynaheve, Ai i shpëton ata nga ndëshkimet e dynjasë dhe të ahiretit.