– “Faraoni tha: “O Haman, më ndërto një kullë, që t’i gjej rrugët, Rrugët e qiejve, (që të ngjitem) e të shoh Zotin e Musait, sepse unë mendoj se ai është gënjeshtar”.” – Kuptimi: Më ndërto një kullë të madhe dhe të lartë, se “ndoshta” do të shoh Zotin e Musait. Por – thotë Faraoni, – unë mendoj se ai mashtron kur pretendon se ne kemi një Zot dhe se Ai është lart, sipër qiejve. Pra, a thua se Faraoni donte të sigurohej dhe ta verifikonte vetë saktësinë e fjalëve të Musait! Por Allahu i Madhëruar na tregon se cili qe shkaku që Faraoni veproi ashtu:
– “Kështu, Faraonit iu duk e mirë vepra e tij e keqe dhe u shmang prej rrugës së drejtë.” – Siç shihet, ai i tha ato fjalë e ndërmori ato veprime, sepse ato iu zbukuruan në veten e tij. Shejtani ua zbukuron të keqen të tillë njerëzve dhe i nxit ta veprojnë atë, derisa ajo iu zbukurohet në veten e tyre, madje ata fillojnë ta mbështesin atë, a thua se po mbrojnë të vërtetën, edhe pse ajo është vetë shkatërrimi. Kështu, ata pengohen nga e vërteta dhe rruga e drejtë.
– “Sigurisht që kurthi i Faraonit qe (për të) veçse shkatërrim.” – Plani i Faraonit ishte që të godiste dhe të rrëzonte të vërtetën. Ai donte t’i bënte njerëzit të besonin se ajo ishte diçka e kotë dhe që Musai ishte një mashtrues, që trumbetonte diçka të pavërtetë. Por ky kurth i ulët i tij, ashtu sikurse tha Zoti, ishte i destinuar të shkatërrohej. Ai do të shërbente veçse si shkaktar i ndëshkimit të vetë atij në dynja dhe në ahiret.