– “Allahu gjykon me drejtësi …” – Fjala e Tij është e vërtetë dhe e drejtë, ligji i Tij për krijesat është i drejtë dhe i vërtetë, ashtu si edhe gjykimi i Tij shpërblyes dhe ndëshkues është i drejtë dhe i urtë. Allahu është i Drejtë dhe i Urtë në gjithçka, sepse dija e Tij përfshin gjithçka dhe se Ai ka shkruar dhe ruajtur çdo gjë me saktësi e drejtësi.
Ai është i Drejtë në gjithçka, sepse Ai është i pastër nga padrejtësia, mangësia e nga çdo cen. Allahu është i vetmi në dorë të të Cilit është përcaktimi i gjithçkaje që ndodh në gjithësi. Nëse Ai dëshiron diçka, ajo është, e nëse Ai nuk dëshiron që ajo të ekzistojë, ajo kurrë nuk do të ekzistojë. Është Ai që bën ndarjen mes robërve të Tij besimtarë dhe mohuesve në jetën e dynjasë, duke u dhuruar suksesin të dashurve dhe të zgjedhurve të Tij.
– “… ndërsa ata që adhurohen veç Tij, nuk kanë në dorë të gjykojnë për asgjë. – Kjo përfshin gjithçka që adhurohet veç Allahut. Pra, – sipas kuptimit, – çdo lloj idhulli dhe i adhuruar tjetër, veç Allahut, nuk ka asnjë grimcë pushteti. Tek idhujt nuk ekziston aspak dashuria për idhujtarët, ashtu si nuk kanë asnjë dëshirë e mundësi për të vepruar diçka a për t’i ndihmuar.
– “Me të vërtetë, Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.” – Allahu i Dëgjon të gjitha zërat, me të gjithë larminë e gjuhëve apo të nevojave që shprehin ata. Ai shikon atë që është dhe atë që do të jetë, atë që ne e shohim dhe atë që nuk mund ta shohim, atë që krijesat e dinë dhe atë që ato nuk e dinë. Në fillim të këtyre ajeteve, Allahu i Madhëruar thotë: “Paralajmëroji ata për Ditën që afrohet gjithnjë e më shumë, …”, dhe më pas e përshkruan këtë ditë me hollësi, me ngjarjet e saj përgëzuese e frikësuese, si një nxitje për të qenë të përgatitur.