Select Page

Allahu i Madhëruar i drejtohet Profetit të Tij, Muhamedit (a.s.), që t’i këshillojë dhe paralajmërojë njerëzit për t’u përgatitur për Ditën e Kijametit, e cila – ashtu sikurse e përshkruan Allahu – afrohet gjithnjë e më shumë. Tronditja, tmerret dhe vështirësitë e saj janë shumë pranë.

– “Paralajmëroji ata për Ditën që afrohet gjithnjë e më shumë, kur zemrat do të vijnë në fyt për t’u zënë frymën.“ – Nga tmerri i madh atë ditë, zemrat do të ngrihen deri në fyt, ndërsa gjoksi do t’u zbrazet. Vështrimet e tyre do të jenë të shtangura e të tmerruara. Askush nuk do të flasë, përveç atij që Rahmani do t’i japë leje dhe do të thotë vetëm të vërtetën.

– “Për keqbërësit nuk ka mik të afërt e as ndërmjetësues që i shkon fjala.”- Atë ditë, për të padrejtët nuk do të ketë të afërt, miq apo ndërmjetësues, të cilëve do t’u dëgjohet dhe pranohet ndërmjetësimi. Ditën e Gjykimit nuk ka ndërmjetësim për ata që e kanë përlyer veten me idhujtari. Edhe sikur dikush të ndërmjetësojë për ta, – gjë që nuk ka për të ndodhur kurrë, – Allahu i Madhëruar nuk është i kënaqur me këtë lloj ndërmjetësimi dhe nuk e pranon atë.