– “Ai është Zotëruesi i pozitës më të lartë dhe Zoti i Fronit (Arshit).” – Ai është më i Lartësuari, i Cili qëndron mbi Fron, të cilin e ka veçuar për Veten. Allahu është El Alijju – i Larti, El ea’lâ – më i Lartësuari, i ndarë qartë nga krijesat e Tij. I Lartë është Ai, të larta janë cilësitë e Tij, e Lartësuar është Qenia e Tij. Tek Ai mund të afrohesh veçse nëpërmjet veprave të pastra e pastruese, pra, me veprat e mira të kryera me sinqeritet. Vetëm veprat e mira e afrojnë dhe e lartësojnë robin mbi të gjitha krijesat e tjera. Pastaj i Madhëruari u përkujton robërve mirësinë e Tij me Shpalljen që u dhuroi:
– “Ai, me Urdhrin e Vet, ia jep shpalljen atij që Ai do nga robërit e Vet, …” – Ai dhuroi Shpalljen, e cila është për zemrat si shpirti për trupin. Ashtu sikurse trupi nuk jeton dot pa shpirtin, ashtu edhe zemrat e robërve nuk kanë jetë pa shpirtin e Shpalljes e kurrë nuk mund të rregullohen pa të. Ai e ka dhënë Shpalljen për të qenë e dobishme dhe mirësi për robërit. Këtë Shpallje i Urti ia jep atij që dëshiron prej robërve të Tij, pra, profetëve, të cilët Zoti i zgjodhi dhe i dalloi mbi të tjerë, duke i ngarkuar me detyrën e ftesës së njerëzve në rrugën e Tij. Qëllimi i dërgimit të profetëve është arritja e lumturisë së robërve në fenë, dynjanë dhe ahiretin e tyre, siç thotë i Madhëruari më tej:
– “… për t’i paralajmëruar (njerëzinë) për Ditën e Takimit.” – Domethënë, që profetët të paralajmërojnë e qortojnë botën për t’u përgatitur për Ditën e Takimit. Allahu i Madhëruar i frikëson robërit me kujtimin e kësaj dite, duke i nxitur ata që të përgatiten me vepra të cilat të shpëtojnë nga telashet e asaj dite. I Madhëruari e quan atë ditë “Dita e Takimit”, sepse ajo është dita e takimit mes Krijuesit dhe krijesave, e takimit mes krijesave me njëra-tjetrën, e takimit të njerëzve me veprat e tyre dhe me shpërblimin që do marrin për to.