Select Page

  Allahu i Madhëruar na tregon për butësinë dhe mirësinë e madhe të Tij ndaj adhuruesve besimtarë. Ai përkujdeset që t’u lehtësojë atyre çdo rrugë që i çon ata drejt lumturisë, rrugë që, në fakt, janë tërësisht jashtë mundësive e aftësive të tyre për t’i arritur vetë. Prej kujdesit të Tij janë edhe lutjet e melekëve për robërit në tokë. Ata luten që Allahu të rregullojë fenë dhe ahiretin e tyre. Këtu shfaqet, ndër të tjera, edhe grada e lartë e mbajtësve të Fronit madhështor dhe e melekëve që qëndrojnë rreth e rrotull tij, si dhe për afërsinë e tyre me Zotin. Ata shquhen për adhurimet e shumta që i përkushtojnë të Madhëruarit, si dhe për kujdesin dhe dëshirën e mirë që kanë kundrejt adhuruesve të Zotit. Ata i duan dhe luten për besimtarët, sepse e dinë shumë mirë se Zoti kënaqet dhe e dëshiron një gjë të tillë prej tyre. I Madhëruari thotë:

– “Ata që mbajnë Fronin (e Allahut) …” – Domethënë, ata që mbajnë Fronin e Rahmanit, i cili është çatia e të gjithë krijesave, krijimi më i madh, më i gjerë, më i bukur dhe më afër Allahut të Lartësuar. Froni i Allahut përfshin qiejt, Tokën dhe Kursijin. Këta melekë të fuqishëm janë ngarkuar për të mbajtur Fronin e Allahu të Madhëruar. Nuk ka dyshim se ata janë ndër melekët më të mëdhenj dhe më të fuqishëm që Zoti ka krijuar, prandaj dhe Ai i ka përzgjedhur për të mbajtur Fronin e Tij. Fakti që Allahu i Madhëruar i përmend ata përpara melekëve që janë rreth Fronit, si edhe afërsia e tyre me Allahun, tregojnë se ata janë lloji më i zgjedhur i melekëve (paqja e Zotit qoftë mbi ta!). Ditën e Gjykimit, Fronin e Allahut do ta bartin tetë melekë, siç thotë i Madhëruari: “Qielli do të çahet dhe atë ditë është i rrënuar, ndërsa melekët do të qëndrojnë në skajet e tij. Atë ditë, Arshin e Zotit tënd e bartin mbi vete tetë prej tyre.” [Hakka 16, 17].

– “… dhe ata që janë përreth tij e lartësojnë  me lavde (dhe e madhërojnë) Zotin e tyre,” – Rreth e rrotull Fronit janë rreshtuar melekë të afërt, të zgjedhur dhe me prestigj të lartë te Zoti. Allahu i Madhëruar i lëvdon këta melekë duke përmendur adhurimin e tyre të shumtë përkushtuar Atij, e në mënyrë të veçantë tesbih-ët e tahmid-ët e tyre. Të gjitha adhurimet bëhen për t’i thurur Zotit tesbih dhe tahmid, pra, për ta lavdëruar dhe madhëruar Zotin, për ta lartësuar Atë nga çdo e metë që trillojnë të paditurit. Tesbih-u dhe tahmid-i tregojnë se robi nuk ia përkushton adhurimet askujt tjetër veç Zotit, sepse vetëm Ai është i Pastër nga çdo e metë dhe i Pashoq në meritën e adhurimit. Tesbih-u dhe tahmid-i për Zotin janë vetë adhurimi, ndërsa shprehjet “Subhanallah” dhe “Elhamdulilah”, që thotë robi, janë një mënyrë e lloj prej llojeve të adhurimit.

– “… i besojnë Atij dhe kërkojnë falje për besimtarët …” – Kjo është nga mirësitë e shumta dhe të mëdha që sjell imani i drejtë në Allahun. Pra, edhe melekët, që janë të pastër dhe të ruajtur nga gjynahet, kërkojnë falje për besimtarët. Duke qenë se falja e Zotit është e lidhur ngushtë me çështje të tjera shumë të rëndësishme dhe dikush mund të mendojë se melekët luten thjesht që t’u falen gjynahet besimtarëve, Allahu i Madhëruar e sqaron më tej duanë e tyre, duke na treguar se ata luten jo vetëm për faljen e gjynaheve, por edhe për çështje të tjera, që kanë lidhje të ngushtë me faljen e gjynaheve. Ata luten edhe për shpëtim prej përfundimit të keq që sjellin gjynahet dhe prej gjurmëve të këqija që ato lënë në jetën e njeriut. Ndër të tjera, ata thonë:

– “Zoti ynë, Ti, me Mëshirën dhe me Diturinë Tënde përfshin gjithçka. – Kuptimi: Dituria Jote ka përfshirë gjithçka. Ty nuk të fshihet asgjë, e dukshme apo e fshehtë qoftë ajo. Diturisë Tënde nuk mund t’i shpëtojë asgjë, as sa një grimcë, më e vogël apo më e madhe qoftë, në tokë dhe në qiell. Mëshira Jote, gjithashtu, ka përfshirë gjithçka. Gjithësia, ajo e sipërmja dhe e poshtmja, është e mbushur me mëshirën Tënde. Ajo ka përfshirë çdo gjë që Ti ke krijuar. Melekët e lusin Allahun me këto cilësi dhe atribute të Tij, që Ai t’i falë robërit që pendohen nga idhujtaria, mohimi, gjynahet dhe mosbindja. Ata luten që besimtarët të pendohen e të largohen nga ato gjëra që sjellin ndëshkimin. Gjithashtu, ata thonë:

– “Prandaj fali ata që pendohen dhe ndjekin rrugën Tënde …” – Kuptimi: Fali ata që pendohen nga shirku e poshtërsitë dhe ndjekin rrugën Tënde, duke pasuar profetët e Tu dhe duke të njësuar në adhurim e në bindje. Pastaj luten për besimtarët, që të kryejnë ato punë që sjellin faljen e mëshirën e Allahut, duke thënë:

– “… dhe ruaji ata nga dënimi i Zjarrit Flakërues!” – Ata luten për ruajtjen e tyre nga ndëshkimi e nga rrugët që të çojnë në ndëshkim.157  Kështu, lutja e tyre nuk është thjesht për falje gjynahesh, por edhe për ato gjëra që e mundësojnë një gjë të tillë dhe që janë të lidhura ngushtë me faljen e gjynaheve, si: pendimi nga veprat e ndëshkueshme, kryerja e veprave të shpërblyeshme, që sjellin mëshirën e Zotit, si dhe shpëtimin nga rrugët e humbjes, që të çojnë në ndëshkim dhe e bëjnë atë të meritueshëm. Pastaj luten e thonë:

157 Në lidhje me të këqijat nga të cilat ruhemi dhe kërkojmë mbrojtje, imam Ibn Kajjimi thotë: “Të këqijat që e godasin robin janë dy llojesh. Njëri lloj janë gjynahet e vepruara prej tij, për të cilat meriton ndëshkim prej Allahut të Lartësuar. Këto të këqija që i kanosen njeriut janë fryt i veprave të tij, të bëra me vullnetin e tij. Këto janë pasojat e gjynaheve, rreziku më i madh, më i frikshëm dhe më i vazhdueshëm që i kanoset njeriut. Ndërsa lloji i dytë i të këqijave që i kanosen njeriut, janë ato që i vijnë nga të tjerët, jo nga vetja. Të tjerët janë ose të përgjegjshëm ligjërisht te Zoti, ose jo të përgjegjshëm. Të përgjegjshmit janë ose njerëz ose xhindë. Të papërgjegjshmit janë akrepat, gjarpërinjtë e kafshë të tjera të rrezikshme dhe vdekjeprurëse”.

Më pas, imam Ibn Kajjimi vazhdon e thotë: “E keqja nënkupton dy gjëra: së pari, dhimbje e vuajtje, së dyti, çdo gjë që i shkakton këto gjëra. E keqja vërtitet mes këtyre të dyjave dhe nuk ka kuptim të tretë. Të këqijat janë dhimbjet dhe shkaqet e tyre. Me këtë kuptim, themi se gjynahet, mosbindja ndaj Zotit dhe profetit, kufri, idhujtaria dhe të gjitha llojet e padrejtësive konsiderohen, pa dyshim, të këqija, nga të cilat duhet të ruhesh e të kërkosh mbrojtje. Edhe pse në ndonjë aspekt dhe rast të caktuar në këto të këqija mund të ketë ndonjë dobi për njerëzit apo kënaqësi të kufizuar, ato gjithsesi mbeten të këqija. Janë të këqija, sepse ato shkaktojnë dhimbje, vuajtje e dëshpërim për këdo që i vepron ato, ashtu sikurse çdo shkak sjell pasojën e vet. Ato sjellin në mënyrë të pashmangshme dhimbje dhe dëshpërim, ashtu sikurse helmi sjell vdekjen, apo zjarri djegien, apo uji mbytjen, apo varja në litar vdekjen, etj.

Ky rregull është i pandryshueshëm, përveç rasteve kur ekziston ndonjë pengesë apo shkak tjetër më i fortë, që e ndalon pasojën e shkakut të parë. Kështu, për shembull, pasojat që duhet të sjellin gjynahet nuk godasin nëse forca e besimit dhe veprat e mira të robit janë më të mëdha si shkak. Kështu, shkaku më i fortë e largon pasojën që sjell shkaku tjetër, që është më i dobët. Në të njëjtën mënyrë funksionojnë të gjitha shkaqet dhe pasojat, edhe në aspekte të tjera, si në shëndet dhe sëmundje, në dobësi dhe fuqi etj. Qëllimi këtu është që të tregojmë se këto të këqija, të cilat sjellin njëfarë kënaqësie të përkohshme, edhe pse duket sikur përmbajnë ndonjë lloj “dobie” të themi, ato mbeten të këqija, prej të cilave duhet të luftosh që të ruhesh dhe të shpëtosh. Ato i përngjajnë atij ushqimi të shijshëm, që, në fakt, është i helmuar dhe sjell vdekjen. Ato i lënë gjurmët e tyre të dhimbshme, qoftë edhe me vonesë.

Një fakt të tillë e vërteton vetë realiteti i jetuar, edhe nëse feja nuk do të na e kishte mësuar atë. Subhanallah! A ka ndonjë mirësi të humbur, për largimin e së cilës të mos jetë bërë shkak mosbindja ndaj Zotit?! Çdo humbje dhe largim mirësie ndodh për shkak të gjynaheve dhe pasojave të hidhura që ato sjellin, sepse Allahu i Lartësuar, nëse e begaton robin me ndonjë mirësi, ia ruan dhe ia shton atë, nga mëshira dhe bamirësia e Tij. Ai kurrë nuk ia largon atë mirësi, derisa vetë robi nxiton dhe, me gjynahet dhe mosbindjen e tij, e largon nga vetja mirësinë e dhuruar prej Zotit. Në suren Rad, ajeti 11, i Lartësuari thotë: “Ai (njeriu) ka (melekë) mbikëqyrës para dhe prapa vetes, që, me urdhrin e Allahut, e ruajnë atë. Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ata të ndryshojnë veten e tyre. Por, kur Allahu vendos ta ndëshkojë një popull, këtë nuk ka kush që mund ta sprapsë. Ata (njerëzit) nuk kanë mbrojtës tjetër veç Tij.” 

Çdokush që mediton rreth historisë së popujve të cilëve Zoti ua hoqi mirësitë me të cilat i kishte dalluar, e vëren qartë një të vërtetë të tillë të pamohueshme. Në të gjitha rastet, shkaku i atyre pasojave të hidhura ka qenë kundërshtimi i urdhrave të Zotit dhe mosbindja ndaj profetëve dhe ndaj shpalljeve të dërguara prej Tij. Madje, çdokush që sheh ndryshimet në gjendjen e njerëzve të kohës së vet do të kuptojë se çdo mirësi e hequr prej duarsh është pasojë e mosbindjes dhe e gjynaheve, sikurse thuhet në një vjershë: Nëse ke një mirësi, fort ta ruash në sënduk, /  se gjynahu po të zuri, ta mbulon edhe ta zhduk.

   Mirësitë e dhuruara prej Allahut të Lartësuar nuk i ruan dhe kultivon asgjë sikurse i ruan dhe i kultivon bindja ndaj Allahut. Ato nuk i shton asgjë sikurse i shton mirënjohja dhe falënderimi ndaj Allahut të Lartësuar dhe Bujar. Ndërsa poshtërsitë dhe mosbindja ndaj Allahut i shkatërrojnë mirësitë. Ato i djegin dhe i zhdukin mirësitë ashtu sikurse zjarri e djeg drurin e thatë. Cilido që, me mendimin e tij, shëtit dhe vështron në historinë e botës nuk ka nevojë që dikush tjetër t’i mësojë këto gjëra rreth saj. Pasojat e të këqijave janë gjithmonë të këqija, sepse ato shkaktojnë dhimbje e dëshpërim shumë të fortë në shpirt dhe në trup. Çdo njeri me logjikë që e trajton këtë çështje ashtu si duhet bën gjithçka për t’u larguar nga shkaqet dhe pasojat e dhimbshme.

Por mospërfillësit e kanë të errësuar logjikën, prandaj Allahu i Lartësuar do ta çojë deri në fund caktimin e Tij të drejtë për ta. Kur ata të përmenden nga hutimi i thellë, sigurisht që zemra do t’u dëshpërohet, kur të shohin se çfarë mirësish të mëdha u kanë ikur prej duarsh, qoftë nga mirësitë e dynjasë, qoftë nga mirësitë e ahiretit, për shkak të këqijave që bënë. Për ata, realiteti do të shihet vetëm kur të bëhen gati për t’u larguar nga kjo botë dhe për të shkuar në botën tjetër, por atëherë do të jetë tepër vonë: “Jo, mosni ashtu! Kur të dridhet toka njëpasnjëshëm, Kur të vijë Zoti yt dhe melekët të qëndrojnë radhë-radhë. Atë ditë do të sillet Xhehenemi (para krijesave). Atë ditë, njeriu do të ndërgjegjësohet, por si do t’i vlejë ky ndërgjegjësim atij? Ai do të thotë: “Ah, i mjeri unë! Sikur të isha parapërgatitur për jetën time!” Atë Ditë, askush nuk mund të dënojë si Ai e askush nuk mund të lidhë me pranga si Ai. O ti shpirt i bindur plotësisht! Kthehu te Zoti yt, i kënaqur e i pranuar! Hyr në mesin e adhuruesve të Mi (të devotshëm)! Dhe hyr në Xhenetin Tim!” [Fexhr 21-30].

I Madhëruari thotë gjithashtu: “Sikur e tërë ajo që është në tokë dhe së bashku me të edhe njëherë aq sa ajo, të ishte pronë e atyre që nuk besojnë, ata do ta jepnin si kompensim për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm në ditën e kijametit. Atyre do t’u vijë prej Allahut diçka (një dënim), që as nuk kanë mundur ta mendojnë.” Ata do të përballen me të këqiat që i bënë me duart e tyre dhe për ta, u bë i meritueshëm dënimi (i Allahut) për shkak të asaj, me të cilën talleshin.” [Zumer 47, 48]. Ose:  “Dhe askush të mos thotë: “Ah i mjeri unë që e shpërfilla adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut dhe qeshë nga ata që talleshin (me besimin dhe besimtarët)!” Ose të mos thotë: “Sikur të më kishte udhëzuar Allahu (në rrugë të drejtë), unë me siguri do të kisha qenë prej të devotshmëve.” Apo, kur ta shohë dënimin të thotë: “Sikur të isha kthyer edhe një herë (në dynja) unë me siguri do të isha prej vepërmirëve.” Jo. Ty të patën ardhur argumentet e Mia dhe ti i përgënjeshtrove ato, u tregove kryeneç dhe u bëre prej atyre që e mohojnë Besimin (e vërtetë). [Zumer 56, 59].” Këto ishin fjalët e Ibn Kajjimit në lidhje me këtë çështje. [Shih në librin “Bedâiul feuaid” të Imam Ibnul Kajim-it]