– “Ata nuk e madhëruan Allahun me madhërinë që i takon …“ – Këta idhujtarë nuk e vlerësojnë Allahun ashtu siç Ai e meriton, në pushtetin dhe fuqinë e Tij, dhe nuk e madhërojnë ashtu siç e meriton madhëria e Tij. Madje, bëjnë të kundërtën e kësaj. Ata i shoqërojnë Atij shokë e partnerë, të cilët janë të mangët dhe të ulët në cilësitë dhe veprat e tyre. Nëse shikon cilësitë e tyre, ato janë tërësisht të mangëta, në çdo aspekt.
Nëse sheh veprat e tyre, ato nuk sjellin asnjë dobi apo të të mbrojnë nga ndonjë e keqe. Ata nuk mund të japin dhe as të privojnë dhe nuk kanë në dorë asgjë. Idhujtari e barazon me Allahun e Madhëruar këtë krijesë të dobët, të mangët dhe nevojtare nga çdo këndvështrim. Prej madhështisë dhe pushtetit të Allahut është edhe fakti që:
– “… dhe në Ditën e Kijametit e tërë toka do të jetë në grushtin e Tij, kurse qiejt do jenë të mbështjellë në Dorën e Tij të djathtë.“ – Ditën e Gjykimit, Toka do të jetë në Dorën e Rrahmanit. Qiejt, me gjithë gjerësinë dhe madhështinë e tyre, do të jenë të palosur në të djathtën e Tij. Kështu, ai njeri që e barazon Zotin me këto krijesa nuk e ka madhëruar Zotin ashtu siç i takon madhështisë së Tij. Ky është nga njerëzit më të padrejtë dhe keqbërës.
– “I lavdëruar dhe i lartësuar qoftë Ai nga ajo që ata i shoqërojnë!” – Allahu është i dëlirë dhe i lartësuar nga çfarë ata i shoqërojnë dhe nga përshkrimet e tyre të ulta. Pasi i paralajmëron dhe frikëson ata, duke u treguar madhështinë e Tij, Allahu i Madhëruar vijon t’i frikësojë edhe duke përshkruar Ditën e Gjykimit, por edhe që t’i nxisë për punë të mira dhe për shpërblimin e madh që i pret.