Select Page

Thuaj: “O Allah! Ti je Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, i Gjithëdituri për të fshehtat dhe të dukshmet. Ti je Krijuesi i tyre dhe Ai që rregullon çështjet e gjithësisë. Ti je i Gjithëdituri rreth të fshehtës, që ne as nuk e shohim dhe as nuk e dimë, dhe rreth të dukshmes, që ne e shohim.

Je Ti Ai që do të gjykosh mes robërve  të Tu për gjithçka që ata kundërshtoheshin (mes tyre).”. – Kundërshtimi më i ashpër është ai mes njësuesve të Zotit dhe idhujtarëve. Besimtarët e sinqertë përballen në dynja me idhujtarët dhe u tregojnë se rruga e drejtë është rruga e adhurimit të Zotit si Një i Vetëm, përmes fesë së Tij, pra, përmes mënyrës që Ai e zgjodhi për robërit. Ata u tregojnë se mirësia dhe shpërblimi në ahiret do t’u jepet veçse besimtarëve të sinqertë e jo idhujtarëve. Ndërsa idhujtarët i kundërshtojnë besimtarët. Ata adhurojnë idhuj dhe puta, që i barazojnë me Zotin e botëve, edhe pse ata nuk vlejnë asgjë, duke trilluar kështu një shpifje shumë të ulët për Zotin.

Ata kënaqen dhe gjejnë qetësi e kënaqësi veçse kur përmenden idhujt e tyre dhe shprehin pakënaqësi e neveri kur përmendet vetëm Allahu. Me gjithë këtë padrejtësi të madhe, ata mbrojnë të vërtetën, duke u thënë se çdo gjë tjetër veç rrugës së tyre është e gabuar dhe se ata do të jenë të vetmit që do të fitojnë shpërblimin tek Zoti. Zoti do të gjykojë me drejtësinë dhe diturinë e Tij për atë që kundërshtohen. I Lartësuari thotë: “Ditën e Kijametit, Allahu do të bëjë dallimin midis atyre që besuan (në Kur’an) dhe atyre që ishin jehudinj, sabejë, të krishterë, mexhusë dhe idhujtarë. Allahu di dhe sheh gjithçka.” [Haxh 17].

Më pas na njofton se do të bëjë ndarjen dhe gjykimin e drejtë mes tyre duke thënë: “Këta janë dy kundërshtarë (besimtarë dhe jobesimtarë) që polemizojnë rreth Zotit të tyre. Por, atyre që nuk besuan, do t’u qepen rroba prej zjarri dhe mbi kokat e tyre u hidhet ujë i valë. Me atë do t’u digjet (e shkrihet) krejt ç’ka brenda trupit të tyre dhe lëkurat. Për ata janë edhe topuzët e hekurt. Sa herë që përpiqen të dalin prej tij nga vuajtjet e padurueshme, do të kthehen me dhunë në të dhe (do t’u thuhet): “Vuajeni Dënimin Përvëlues!” Allahu i vendos në Xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ata që besuan dhe bënë vepra të mira. Aty do të stolisen me byzylykë të artë e me margaritarë dhe veshjet e tyre do të jenë të mëndafshta. Ata u udhëzuan për (të folur) fjalët më të mira dhe u udhëzuan në rrugën e Atij që i meriton (të gjitha) lavdërimet. [Haxh 19 – 24].

“Atyre që besojnë dhe besimin e tyre nuk e ngatërrojnë me padrejtësi, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë.” [En’am 82].  “Bëjnë kufër ata që thonë: “Allah është Mesihu, biri i Merjemes”. Por Mesihu ka thënë: “O bijtë e Israilit! Adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj! Kushdo që adhuron zota të tjerë përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe Zjarri do të jetë vendbanimi i tij. Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmëtar.” [Maide 72]. Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar na qartëson se Ai është Krijuesi i gjithçkaje, Ai që di gjithçka dhe se urtësia e Tij është gjithëpërfshirëse.

Ai do të gjykojë me drejtësi mes robërve  të Tij. Në fakt, fuqia e Tij, me të cilën solli në ekzistencë krijesat dhe dituria e Tij gjithpërfshirëse janë tregues se gjykimi i Tij do të jetë i drejtë dhe ringjallja është e sigurt dhe e domosdoshme. Ai di hollësisht çdo punë të robërve, të mirat dhe të këqijat e tyre, ashtu siç di mirë masën e shpërblimit të secilit prej tyre. Krijimi tregon për diturinë e Allahut, sikurse thotë Ai në Kuran: “Qoftë sikur t’i fshihni, qoftë sikur t’i thoni fjalët tuaja haptas, nuk ka dyshim se Ai e di çfarë fshihni në zemrat tuaja. A nuk e di Ai që ka krijuar, kur Ai di në imtësi çdo sekret.” [Mulk 14].