Allahu i Lartësuar na tregon gjendjen e idhujtarëve dhe atë çka idhujtaria kishte ndryshuar në shpirtrat e tyre. Ai thotë:
– “Kur përmendet Allahu, Ai që është Një dhe i Vetëm, zemrat e atyre që nuk besojnë në Jetën Tjetër mbushen me neveri (e pakënaqësi).“ – Kur përmendej Zoti dhe urdhërohej që Ai të njësohej në adhurim dhe kur urdhërohej që të largoheshin nga adhurimi i gjithçkaje tjetër veç Tij, ata ndiheshin shumë keq, e prisnin me urrrejtje, e madje shprehnin neveri për të gjithë këto urdhëresa.
– “Por, kur përmenden të tjerë, përveç Tij, ja, ata mbushen me gëzim.“ – Por kur përmendeshin idhujt ose kur dikush i ftonte për të adhuruar idhujt, ata gëzoheshin, sepse idhujtaria u shkonte pas dëshirave të tyre. Kjo është gjendja më e shëmtuar, në të cilën mund të gjendet një njeri. Por le ta dinë se premtimi për ta është Dita e Gjykimit, kur do të shpërblehen me drejtësi për të gjithë veprat që kanë bërë. Atëherë do të shohin a do t’u sjellin ndonjë dobi idhujt e tyre apo jo. Atëherë le t’u luten dhe të shohin se do t’u përgjigjen apo jo.