Select Page

Thuaj: “Vetëm Allahut i takon i tërë ndërmjetësimi.Çdo çështje është në dorë të Allahut dhe Atij i frikësohet dhe i druhet çdo ndërmjetësues. Askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Allahu pa lejen e Tij. Nëse Ai dëshiron që të mëshirojë dikë prej robërve  të Tij, Ai i jep leje për ndërmjetësim dhe ia pranon ndërmjetësimin. Kështu, Ai i mëshiron të dy, edhe ndërmjetësuesin, edhe atë për të cilin ndërmjetësohet. Pastaj Allahu i Madhëruar e përforcon këtë fakt, duke thënë:

Në Dorë të Tij është Sundimi i qiejve dhe i tokës …Gjithçka që ndodhet në qiej dhe në tokë, qoftë trupat, shpirtrat, cilësitë e veprat e tyre, janë pronë e Zotit dhe nën sundimin e Tij. Kështu, është mëse e logjikshme që ndërmjetësimin ta kërkojmë nga Ai i Cili e ka gjithçka nën sundimin e pushtetin e Vet dhe vetëm Atij t’i përkushtohesh me adhurim e me sinqeritet të plotë në realizimin e fesë së Tij.

“… dhe vetëm tek Ai do të ktheheni të gjithë. Atë ditë, Ai do të shpërblejë të sinqertët me shpërblime e nderime të shumta. Ndërsa atyre që i bëjnë shok do t’u japë një dënim që të këput çdo shpresë.