– “A nuk i mjafton Allahu (si Mbrojtës) robit të vet?“ – Allahu është Bujar e Bamirës i Madh dhe kujdeset shumë për robin e Vet, që përpiqet t’i përmbushë adhurimet ndaj Tij, duke plotësuar urdhëresat dhe duke iu larguar ndalesave.
Ai është mëse i mjaftueshëm në mbështetje të robit të Vet. Në mënyrë të veçantë, kujdesi dhe ndihma i është premtuar më të plotit në adhurimet që i përkushtoi Allahut, dhe ai është Muhamedi (a.s). Kështu, Allahu ka për t’i mjaftuar Muhamedit në çështjet e dynjasë, të fesë dhe të besimit të tij. Ai ka për ta ruajtur Profetin e Tij nga çdo e keqe që i kanoset.
– “Dhe ata të frikësojnë ty me zota të tjerë (që i adhurojnë) përveç Tij.“ – Ata të frikësojnë nëpërmjet idhujve dhe putave, se do të godasin me ndonjë të keqe. Por kjo nuk është gjë tjetër veçse tregues i humbjes dhe devijimit të tyre.
– “Për ata që Allahu i lë të humbur nuk mund të ketë asnjë që t’i udhëzojë.“ – Ata i ka lënë Zoti në humbje, prandaj nuk mund ta gjejnë rrugën e drejtë.