– “Ata që e dëgjojnë me vëmendje fjalën (shpalljen) dhe pasojnë më të mirën.“ – Ata dëgjojnë me vëmendje fjalët që u thuhen, që të mund të gjykojnë drejt se cilave prej tyre iu duhet dhënë përparësi e cilave jo. Ngaqë janë të logjikshëm dhe të kujdesshëm, ata zgjedhin fjalën më të mirë dhe nuk ka dyshim se fjala më e mirë është Fjala e Allahut (Kur’ani) dhe fjala e Profetit të Tij (hadithi): “Allahu e shpalli më të mirën Fjalë, këtë Libër, pjesët e të cilit janë të ngjashme me njëra tjetrën (në urtësi e bukuri), dhe që përsëriten herë pas here (me këshilla e dispozita).” [Zumer 23].
Në këtë ajet mund të përmendim edhe një dobi të veçantë. Kur Allahu i Lartësuar na tregoi për të mençurit dhe të urtët dhe i lëvdoi ata, sepse e dëgjojnë me vëmendje çdo fjalë që thuhet dhe pasojnë me të mirën, dikush mund të thotë: A ka ndonjë mënyrë apo rrugë se si mund të dallojmë dhe gjykojmë se cila fjalë është më e mira, në mënyrë që edhe ne ta zgjedhim dhe pranojmë, dhe kështu të përshkruhemi të mençur dhe të urtë?
Ose që të shohim ata që e pranojnë atë fjalë dhe ta dimë se ata janë të urtë dhe të mençur? Atëherë, përgjigjja për këtë pyetje është: Po, ka një mënyrë për të dalluar se cila është fjala më e mirë. Fjala më e mirë është ajo fjalë që vetë Zoti e ka quajtur të tillë, kur tha: “Allahu e shpalli më të mirën Fjalë, këtë Libër, pjesët e të cilit janë të ngjashme me njëra tjetrën (në urtësi e bukuri), dhe që përsëriten herë pas here (me këshilla e dispozita).” [Zumer 23].
– “Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë dhe këta janë të diturit.“ – Këta janë ata që Allahu i udhëzoi dhe i mësoi të stolisen me virtyrtet më të larta dhe ua bëri mbarë që të bëjnë punët më të mira e të shpërblyeshme. Ai dëshmoi se pikërisht këta që pasojnë fjalën e Tij “janë të diturit.” Këta janë të mençurit dhe të urtët, që dallohen për logjikën e mprehtë dhe gjykimin e drejtë. Me mençurinë dhe mprehtësinë e tyre, ata mund të shohin dhe dallojnë të mirën nga jo e mira dhe i japin përparësi asaj mbi çdo gjë tjetër.
Kjo është treguese e qartë e mendjes dhe logjikës së shëndoshë. Madje mund të themi se aftësia mendore tregohet veçse në këtë mënyrë. Ai që nuk arrin të dallojë mes fjalëve që i thuhen, të mira apo të shëmtuara, ai nuk konsiderohet i shëndetshëm mendërisht. Gjithashtu, edhe ai i cili arrin të dallojë fjalët, por epshet e tij ia mundin logjikën, dhe si rrjedhojë ai nuk i jep përparësi të mirës, pra, edhe ai është i mangët në mendje dhe i dobët në zgjedhje.