– “Kurse ju, adhuroni çfarë të doni përveç Tij!” – Ju veproni si të doni dhe adhuroni çfarë të doni, se të dështuarit dhe të humburit e vërtetë janë pikërisht ata që humbin veten dhe familjet e tyre në Ditën e Kijametit. Ata e humbin vetveten, sepse e privojnë atë nga shpërblimi i Zotit dhe, me veprat e tyre, meritojnë ndëshkimin e përjetshëm e dëshpërues. Ata do të humbin edhe familjet e tyre, sepse atë ditë do të ndahen nga njëri tjetri dhe dhimbja e tyre do të jetë e papërshkrueshme.
– “Thuaj: “Të humbur në Ditën e Kijametit janë ata që e humbën veten dhe familjen e tyre. Dhe kjo është ajo humbja (e vërtetë dhe) e qartë. – Nuk ka ndonjë humbje që mund të krahasohet me të, sepse ajo është e vazhdueshme dhe e përjetshme, që kurrë nuk pritet të përfundojë apo të shpresohet ndonjë e mirë pas saj. Nuk ka as përmirësim dhe as shpëtim. Në vijim, Allahu i Madhëruar e shtjellon këtë ndëshkim, duke thënë: