Select Page

Ky është një libër plot bekime.Në të ka mirësi dhe bekime të shumta, si edhe dituri të pafund. Në Kur’an qartësohet udhëzimi në rrugën e drejtë dhe paralajmërohen njerëzit që të ruhen nga çdo rrugë e humbjes. Atje na tregohen të gjitha sëmundjet tona dhe mënyra si të shërohemi. Ai është dritë, me të cilën robi ndriçohet mes errësirave. Atje shtjellohet çdo gjykim, për të cilin kanë nevojë të përgjegjshmit ligjërisht.

Për çdo çështje, atje do të gjesh argumentet më të plota dhe shteruese dhe për çdo synim e qëllim të lartë do të gjesh udhëzimet më të qarta. Për këtë arsye, ai është libri më madhështor që ka ardhur në botë, që kur Zoti e krijoi atë. Këtë libër të begatshëm e plot mirësi, Allahu e zbriti që ne të meditojmë për argumentet dhe ajetet e tij. Ai thotë: 

Ne ta zbritëm ty atë, që ata të meditojnë në argumentet e tij …Kjo është urtësia e zbritjes së këtij libri: që njerëzit të meditojnë në ajetet e tij, dhe kështu të nxjerrin prej tyre diturinë si dhe të meditojnë rreth të fshehtave dhe urtësive të tij të shumta. Nëse do të meditojnë gjatë, kanë për të përfituar shumë nga mirësitë e Tij të pafundme. Ky ajet është një nxitje për të medituar rreth Kur’anit, që konsiderohet nga punët më të mira. Një lexim i ngadaltë, duke medituar gjatë në ajetet e Librit është shumë më i mirë sesa një lexim i shpejtë, që nuk shoqërohet me meditim e me të kuptuarit.

“… dhe që të marrin mësim njerëzit që kuptojnë.Domethënë, ata të cilët kanë logjikë të pastër dhe të shëndetshme. Duke medituar, ata do të mund të mësojnë e kujtojnë vazhdimisht nga ky libër atë që u sjell dobi. Ky ajet tregon se përfitimi nga Kur’ani është i lidhur ngushtë me logjikën, urtësinë dhe mençurinë e besimtarit. Nëse njeriu përfiton shumë nga Kur’ani, kjo tregon për mençurinë dhe mendjen e tij të shëndoshë.