– “Daudi tha: “Ai është treguar i padrejtë me ty duke të kërkuar delen tënde (të vetme) ta bashkojë me tufën e deleve të veta. Është e vërtetë, shumë prej ortakëve i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit. Por nuk veprojnë kështu ata që kanë besuar dhe bëjnë vepra të mira. Por, sa të pakët janë ata!”. – Kështu bëjnë zakonisht ortakët në çështje të ndryshme: “Shumë ortakë i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit …”, sepse padrejtësia është pjesë e shpirtrave të njerëzve.
Por pastaj tha: “Por nuk veprojnë kështu ata që kanë besuar dhe bëjnë vepra të mira.”. Sepse ata kanë iman të sinqertë në shpirt, që i bën të kryejnë punë të mira dhe që i largon nga padrejtësia. Megjithatë, Allahu i Lartësuar thotë “Por, sa të pakët janë ata!”. Ata që janë të drejtë dhe bëjnë punë të mira, sipas besimit të drejtë, janë të pakët, sikurse thotë në ajet tjetër: “Pak nga robërit e Mi janë mirënjohës.” [Sebe’e 13].
– “Dhe Daudi e kuptoi se Ne e vumë në prove atë. Prandaj i kërkoi falje Zotit të vet, u përkul (ra në sexhde) dhe u kthye (tek Allahu i penduar).“ – Daudi mendoi se Zoti e sprovoi kur e ngarkoi që të gjykonte ata të dy, që ai të mësonte dhe të ishte i kujdesshëm në gjykim. Për këtë arsye, ai i kërkoi falje Zotit të vet, për atë gjykim. Pastaj, “u përul dhe u kthye”, pra, ra në sexhde dhe iu kthye Zotit të tij me pendim dhe adhurime të shumta.