Select Page

Jo! Por, ai u solli të Vërtetën (e sigurt) dhe ai vërtetëson Mesazhin e të dërguarve (para tij).Muhamedi solli të vërtetën e sigurt. Ai është me të vërtetë profet besnik i Zotit dhe ajo që ai solli është e vërteta e sigurt prej Zotit. Ai është, gjithashtu, edhe vërtetues i besnikërisë së profetëve të shkuar. Ardhja e tij është përmbushje e profetësive të tyre. Nëse ai nuk do të vinte, profetësitë e tyre nuk do të quheshin të përmbushura, e kjo do të cenonte vërtetësinë e tyre. Kështu, në njëfarë mënyre, ardhja e Muhamedit konsiderohet si mrekulli dhe profeci e përmbushur e profetëve të shkuar, sepse ata njoftuan dhe përgëzuan njerëzit për ardhjen e tij.

Madje, Allahu i Madhëruar ka marrë besën dhe premtimin e të gjithë profetëve se, nëse do t’u vinte ky profet, do ta ndihmonin dhe besonin atë, e po kështu u mori premtimin edhe popujve të tyre. Kur ky profet erdhi në botë, doli qartë vërtetësia e profecive dhe e profetëve, nga njëra anë, dhe mashtrimi e refuzimi i padrejtë i së vërtetës nga ata që nuk e pranuan këtë profet. Ky profet solli një ligj të mrekullueshëm e në përputhje me të gjitha ligjet që sollën profetët e tjerë. Edhe ai i ftoi njerëzit në të njëjtat gjëra që i ftuan profetët e tjerë. Gjithashtu, ai i besoi dhe dëshmoi për vërtetësinë e gjithë shpalljeve që iu dhanë profetëve të tjerë.