Select Page

Allahu i Madhëruar na mëson se drejtësia është e lejuar, por nga ana tjetër, Ai na nxit për falje e tolerancë, që është më e pëlqyeshme. Ai thotë:

– “Nëse zgjidhni të ndëshkoni (sipas ligjit), atëherë bëjeni po në atë masë sa jeni dëmtuar ju!”  Nëse i ndëshkoni ata që ju kanë dëmtuar me fjalë ose me vepra, bëjeni këtë, por vetëm në atë masë sa jeni dëmtuar ju, aspak më tepër.

– “E nëse duroni (dhe falni), pa dyshim që kjo është më e mira për durimtarët.” – Nëse përmbaheni dhe e falni tjetrin për padrejtësitë që të ka bërë, kjo është më e mirë sesa marrja e hakut tërësisht, duke kërkuar barazinë. Sigurisht, shpërblimi që gjendet tek Zoti është shumë më i mirë dhe është përfundim më i lumtur, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “Ndëshkimi i së keqes (lejohet të) bëhet me një të keqe në të njëjtën masë.

Megjithatë, kush fal e përmirëson, shpërblimin e ka tek Allahu. Vërtet, Ai nuk i do të padrejtët.” [Shura 40]. Në vijim, Allahu i Madhëruar urdhëron Profetin e Tij që të bëjë durim dhe të jetë këmbëngulës e i vazhdueshëm në thirrjen e krijesave për në fenë e Tij, duke iu mbështetetur vetëm Allahut në këtë mision. Profeti porositet që kurrë të mos mbështetet tek vetja, por vetëm tek Zoti.