Zoti yt është Falës dhe Mëshirëplotë. Ai kujdeset për adhuruesit e Tij të sinqertë me butësinë dhe bamirësinë e Tij. Allahu tregon se është Falës e Mëshirëplotë për ata që mërgojnë për hir të Tij, për ata që lënë vendin dhe pasuritë e tyre për të kërkuar veçse kënaqësinë e Tij. Këta janë gati të braktisin çdo lloj pasurie, vetëm e vetëm që të shpëtojnë nga sprovimi në fenë e tyre dhe nga frika e kthimit në mosbesim.
Edhe pse sprovohen dhe luftohen për ta braktisur fenë e Zotit, ata tregohen të duruar dhe qëndrojnë në imanin e pastër e të sinqertë, duke pasur siguri të plotë në ndihmën e Zotit. Ata luftojnë kundër armiqve të besimit në Zotin dhe përpiqen për t’i futur njerëzit në fenë e drejtë me fjalë e me vepra të mira.
Ata bëjnë durim për të qenë të vazhdueshëm në ato adhurime, që për shumicën e njerëzve duken të vështira. Ky është përshkrimi i besimtarëve të vërtetë. Ata janë gati të lënë gjithçka të kësaj bote vetëm e vetëm për të ruajtur fenë e besimin e tyre të pastër. Ata përkushtohen në adhurime të sinqerta dhe në ftesën e njerëzve për të përqafuar Islamin.
Ata e shprehin besimin e tyre me fjalë e me vepra të mira dhe përqendrohen në rrugën e drejtë me durim e maturi. Këta janë faktorët më të rëndësishëm që e ndihmojnë njeriun të arrijë mirësinë më të madhe të Zotit, që është falja dhe mëshirimi prej Tij. Falja e gjynaheve të mëdha dhe të vogla sjell sigurinë nga çdo ligësi e sprovë. Ndërsa mëshira e plotë sjell rregullimin e çështjeve të jetës dhe të fesë. Ata janë të garantuar nga çdo ligësi dhe janë të përgëzuar me çdo mirësi, në të dyja jetët.