Ata e humbën dhe e shkatërruan veten, pasuritë dhe familjet e tyre për Ditën e Gjykimit. Atyre u ikën mirësitë e shumta e të përjetshme të Xhenetit sepse e zhytën veten në ndëshkimin e dhembshëm. Por, ndryshe do të ndodhë me ata që u detyruan me forcë për të mohuar Zotin me gojë, kur zemrat e tyre ishin të mbushura me besim. Këta njerëz nuk kanë asnjë gjynah nëse thonë fjalë mohuese, kur janë të detyruar dhe nën trysninë e kërcënimit.
Kjo tregon se fjalët e thëna nën trysninë e kërcënimit dhe frikës janë të pavlefshme edhe në raste të tjera, si p.sh në rastin e deklarimit të divorcit, të çlirimit të robërve, shitblerjes e të çdo kontrate tjetër. Të gjitha këto deklarata të thëna nën trysninë e kërcënimit dhe frikës janë të pavlefshme ligjërisht. Duke qenë se njeriu nuk ndëshkohet nga Sheriati edhe në rastin kur thotë fjalë kufri, atëherë rastet e tjera më të vogla në peshë nuk kanë pse të merren parasysh.