Select Page

Kjo është arsyeja përse ata i kthyen shpinën së vërtetës. Ata preferuan kënaqësitë e kësaj bote dhe shpërfillën mirësitë e përjetshme të ahiretit. Duke qenë se zgjodhën kufrin në vend të imanit, Allahu i privoi nga besimi dhe udhëzimi. Ky ishte ndëshkim i merituar për ta, sepse mohimi u bë atribut i tyre i pandashëm. Zemrat e tyre u vulosën dhe e mira nuk depërtoi më në to.

Edhe shikimi dhe dëgjimi i tyre u vulosën, dhe kështu ata nuk mund të shihnin e të dëgjonin ndonjë gjë të mirë që do t’u vlente. Mohuesit janë tërësisht të zhytur në pakujdesi e harresë dhe i ka mposhtur poshtërimi dhe mosbesimi. Ata gjithmonë do të privohen nga mëshira e Zotit, e cila ka përfshirë gjithçka.

Shkak për këtë bëhet pikërisht refuzimi i tyre i kësaj mëshire, kur u ofrohet. Atyre vazhdimisht u jepet mundësia për të pasuar udhëzimin në jetën e kësaj bote, por e refuzojnë dhe iu përkushtohen plotësimit të dëshirave e kënaqësive personale.