Select Page

Allahu i Madhëruar përshkruan këtu gjendjen e mohuesve të besimit. Ditën e Gjykimit, Ai nuk ka për të pranuar asnjë shfajësim e arsyetim, që mund të largojë ndëshkimin prej tyre. Atë ditë, edhe aleatët e miqtë më të ngushtë që kanë patur në këtë jetë, do të distancohen prej tyre. Madje, ata vetë, me gojën e tyre do të dëshmojnë se ishin mohues të besimit dhe se gënjenin për fenë e Zotit:

– “Atë Ditë, kur prej secilit popull do të sjellim dëshmitarë, …” – Nga çdo popull do të nxjerrim dëshmitarë, që do të dëshmojnë me drejtësi për veprimtarinë e popullit dhe për çështjen se si iu përgjigjën ftuesit të Zotit në udhën e drejtë. Këta dëshmitarë, sigurisht, do të jenë njerëzit më të pastër dhe më të zgjedhur, profetët e Zotit. Me dëshminë e tyre, do të jepet gjykimi i drejtë nga Zoti.

– “… atyre që nuk besuan, nuk do t’u jepet leje për shfajsim, e as nuk do të kërkohet prej tyre (të arsyetohen). – Askujt nuk do t’i jepet mundësi për të nxjerrë shfajësime e justifikime, sepse pas dëshmisë së pakundërshtueshme të profetëve nuk ka nevojë për asnjë dëshmi tjetër për meritën e ndëshkimit. Atëherë, çdo shfajësim e justifikim është thjesht një mashtrim i kotë, që nuk sjell asnjë përfitim për ta.