– “Allahu ju bëri hije (të freskëta) nga ajo që Ai krijoi për ju …” – Ai bëri për ju hije të freskëta prej krijesave, që vetëm Ai i krijoi dhe ju nuk keni dorë në to, si për shembull, hijet e pemëve, të maleve, kodrave, reve etj.
– “… dhe nëpër male ju gjeni vendstrehime.” – Gjeni strehë në shpella e guva, që ju mbrojnë prej të nxehtit, të ftohtit, reshjeve dhe armiqve.
– “Ai ju mundësoi të keni veshje, që ju mbrojnë prej të nxehtit …” – Allahu ju mundësoi të bëni veshje, që ju mbrojnë prej të nxehtit. Po të vëresh me kujdes, këtu nuk është përmendur mbrojtja nga të ftohtit. Dijetarët shpjegojnë se kjo sure përmend në fillim mirësitë themelore dhe më pas ato që rrjedhin prej të parave. Në këtë rast, mbrojtja nga të ftohtit është mirësi bazë, ndërsa këtu përmendet një degëzim i asaj mirësie.
Mirësitë bazë Allahu i Madhëruar i përmend në fillim të sures, kur thotë: “Edhe kafshët Ai i krijoi për ju. Nëpërmjet tyre ju siguroni ngrohtësi dhe dobi të tjera, gjithashtu edhe ushqeheni. Ju shihni pamje të bukura kur i ktheni ato në mbrëmje dhe kur i lëshoni në mëngjes (në kullotë). Ato bartin ngarkesat tuaja në vende të largëta, ku përndryshe ju do të arrinit me shumë vështirësi. Vërtet, Zoti juaj është shumë Bamirës dhe Mëshirëplotë. Edhe kuajt, mushkat dhe gomarët, i krijoi që të ngarkoni mbi to dhe si bukuri. Ai do të krijojë gjëra që ju tani nuk i njihni.” [Nahl 5 – 8].
– “… dhe veshje që ju mbrojnë në luftë.” – Ai ju mundësoi të bëni edhe veshje të veçanta, që ju mbrojnë gjatë luftës, siç janë parzmoret apo përkrenaret. Kështu kujdeset Zoti juaj për ju, duke ju dhuruar mirësi të shumta, që nuk janë të kufizuara.
– “Kështu i plotëson Allahu të mirat e Tij ndaj jush, në mënyrë që të dorëzoheni.” – Kur të kujtoni mirësitë e Zotit dhe të shihni se si ju rrethojnë në çdo çast, ju duhet që t’i dorëzoheni Allahut me tërë qenien tuaj. Ju duhet t’i nënshtroheni e përuleni madhështisë së Allahut, duke zbatuar urdhëresat e Tij. Ju duhet t’i përdorni ato mirësi në bindje ndaj Atij që jua dhuroi. Mirësitë e shumta duhet të nxisin tek njeriu mirënjohje të madhe dhe shprehje të përlëvdimit e dashurisë për Zotin. Por të padrejtët nuk dinë të shprehin gjë tjetër, veç shfrenimit, inatit, armiqësisë dhe rebelimit.