Select Page

Shembulli i dytë është ai me njeriun shurdhmemec, që nuk dëgjon, nuk flet dhe nuk ka fuqi për asgjë, sado e vogël qoftë. Ky është barrë për të afërmit e tij. Të afërmit duhet t’i shërbejnë e të kujdesen për të, sepse ai nuk mund të kujdeset për veten e vet. Atëherë, a mund të jetë i barabartë ky me një tjetër, që urdhëron veçse për drejtësi e mirësi, është në rrugë të drejtë dhe është i plotë në çdo aspekt. Fjalët e tij janë të drejta dhe veprat e tij janë të mira.

Nëse këta dy nuk mund të jenë njëlloj, atëherë edhe idhujt, që të paditurit i adhurojnë, nuk mund të jenë të barabartë me Allahun. E si mund të adhurosh ata që nuk kanë fuqi për asgjë, madje as për t’i shërbyer vetes? Ata janë thjesht krijesa të Zotit dhe Ai kujdeset për të gjithë. Këta të mangët e të varfër kurrë nuk mund të jenë e shokë e partnerë e të barabartë me Atë që thotë vetëm të vërtetën dhe bën vetëm vepra që e meritojnë të lavdërohen dhe për të cilat duhet të jesh mirënjohës.