Select Page

– “Allahu i dalloi disa prej jush nga të tjerët në fushën e pasurisë. Por ata të cilët u dalluan mbi të tjerët nuk duan ta ndajnë pasurinë me ata që i kanë nën vete, për të qenë të barabartë.” – E gjitha kjo është treguesi i njëshmërisë së Zotit dhe argument për vërtetësinë e Tij. Nga ana tjetër, ky fakt tregon për kotësinë dhe shëmtinë e shirkut. Shirku është një vepër e shëmtuar dhe e dënueshme.

Është e vërtetë se të gjitha krijesat kanë dy cilësi kryesore: ato janë të krijuara dhe janë nevojtare për Zotin. Megjithatë, Allahu i Lartësuar na ka treguar për disa dallime të krijesave nga njëra tjetra. Kështu, disa njerëz janë të lirë, me pasuri e pushtet. Disa të tjerë janë skllevër të nënshtruar, që nuk zotërojnë asgjë.

Mendoni me kujdes! Zotërinjtë e pasur kurrë nuk do të lejonin që të ishin të barabartë me skllevërit e nënshtruar dhe të ndanin pasurinë e pushtetin me ta, e kështu të ishin njëlloj. Ata e shohin këtë si diçka të papranueshme.

Mendohuni o njerëz! Ju po i atribuoni Zotit disa krijesa të dobëta si të barabarta me Të, megjithëse krijesat janë nevojtare e të pafuqishme, që nuk kanë asnjë grimë pushteti. Si mund t’i konsideroni ata të barabartë me Zotin dhe partnerë me Të në pushtetin e mbretërimin e Tij, kur as për veten tuaj nuk e pranoni këtë? A nuk është kjo padrejtësia më e madhe dhe mosmirënjohje për mirësitë e Allahut?

– “Si i mohojnë kështu mirësitë e Allahut?!” – Nëse do të ishin mirënjohës për mirësitë që kanë dhe do t’ia njihnin e do t’ia atribuonin Atij që ua dhuroi ato, kurrë nuk do t’i shoqëronin Allahut shokë, në asnjë aspekt, por Ai do të ishte i vetmi që do të meritonte adhurimin, dashurinë e madhërimin e tyre.