– “Edhe nga frutat e hurmës dhe të rrushit ju nxirrni pije (lëngje) dhe ushqim të mirë.” – Allahu i Lartësuar u ka dhuruar mirësi të shumta krijesave, përmes fryteve të hurmës dhe të rrushit. Ai u dhuroi ushqim të këndshëm dhe të ardhura të mira. Ata hanë nga frutat e tyre kur janë të freskëta, të thara si stafidhe, të shtrydhura për pije të këndshme etj.
Prej tyre nxirret dhe pije dehëse, që është e ndaluar. Allahu e ndaloi konsumimin e pijeve dehëse dhe përfitimin prej tyre, duke na i zëvendësuar me lëngun e pastër të këtyre frutave në formë shurupi, pa kaluar në fermentim, që i kthen në pije dehëse.
– “S’ka dyshim se edhe në këtë fakt ka Shenja (të qarta) për ata që mendojnë.” – Këta arrijnë të logjikojnë e të arsyetojnë rreth pushtetit të Allahut, që prej këtyre pemëve me trungje të ngjashme, nxori fruta të mrekullueshme e të larmishme. Kjo tregon edhe për mëshirën e Tij gjithëpërfshirëse, sepse Allahu u ka mundësuar të gjitha krijesave të përfitojnë prej këtyre mirësive.
I Plotpushtetshmi dhe i Gjithëmëshirshmi, që dhuroi këto mirësi, është Ai që meriton të adhurohet si Një i vetëm, sepse Ai është i vetëm edhe në pushtetin dhe mëshirën e Tij.