– “Vetëm Allahut i bën sexhde çdo gjë që është në qiej e që është në tokë. Edhe melekët (i bëjnë sexhde) e ata nuk tregohen kryeneçë.” – Të gjitha gjallesat, si ata që flasin e edhe ato që nuk flasin, i përulen madhështisë së Allahut. Edhe melekët, krijesat më të zgjedhura, të pastra e të mira, i bien Atij në sexhde. Allahu i përmend melekët veçmas për vetë mirësinë e pastërtinë e tyre, si dhe për adhurimet e shumta që ata i kushtojnë Atij.
Duke i përshkruar ata, Allahu thotë: “…ata nuk tregohen kryeneçë.” Ata nuk tregohen kurrë mendjemëdhenj apo të tregojnë vetëkënaqësi për adhurimet që i kushtojnë Allahut. Ata tregohen shumë të përulur dhe kryejnë adhurime të shumta dhe të pastra. Morali i tyre është i pakrahasueshëm dhe fuqia e tyre në ato adhurime është shumë e madhe.
Të tillë janë adhuruesit e vërtetë të Zotit, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Mesihu nuk do të refuzonte kurrë të ishte rob dhe adhurues i Allahut, dhe as melekët më të zgjedhur.” [Nisa 172]. Në vijim vjen një tjetër përshkrim i tyre:
– “Ata i frikësohen Zotit të tyre, që është mbi ta, dhe bëjnë gjithçka për të cilën urdhërohen.” – Megjithëse ata tregojnë devotshmëri dhe frikërespekt për Zotin, që është sipër tyre, i Lartësuar i Plotë në pushtetin dhe cilësitë e Tij, ata janë të përunjur para pushtetit dhe mbretërimit të Tij, siç thotë Allahu: “… bëjnë gjithçka për të cilën urdhërohen.” Çfarëdo urdhri që t’u japë Zoti i tyre, ata e zbatojnë me bindje e vullnet të lirë. Sexhdja që krijesat i bëjnë Zotit është dy llojesh:
1. Sexhdja e detyruar. Kjo lloj sexhdeje është e përgjithshme, që bëhet nga çdo krijesë, besimtarë apo mohues qofshin, punëmirë apo punëkeq, flasin apo nuk flasin. Kjo përulje e përgjithëshme e çdo krijese për Allahun tregon se Ai është i plotë në çdo cilësi si dhe në sundimin e pushtetin e Tij.
2. Sexhdja me vullnet të lirë. Kjo lloj sexhdeje ndaj Allahut realizohet vetëm nga më të dashurit dhe të zgjedhurit e Tij besimtarë, qofshin melekë, njerëz apo xhindë, të cilët Ai i ka dalluar e përzgjedhur mbi të gjithë.