– “(I patëm dërguar ata) me Argumente e me libra të shenjtë.” – Në këtë ajet tregohet vlera e madhe e dijetarëve. Dituria më e lartë është dituria rreth librave të Zotit. Allahu i Madhëruar i ka urdhëruar që, për çdo çështje, t’u referohemi njerëzve të ditur të fushës. Kjo porosi, nga ana tjetër, tregon se njerëzit e ditur janë të besueshëm dhe se Zoti dëshmon për besueshmërinë e drejtësinë e tyre, sepse Ai urdhëron për t’u kthyer tek ata.
Duke ndjekur njerëzit e ditur, mënjanohen të paditurit. Allahu i ka përzgjedhur të diturit si besnikët e Shpalljes së Tij dhe ata janë të urdhëruar që të pastrojnë veten nga çdo cilësi e ulët dhe të pajisen me cilësitë dhe virtytet më të larta.
– “Ndërsa ty ta shpallëm Kur’anin, që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, që ata të mendojnë.” – Nuk ka dyshim se më të mirët e njerëzve të ditur janë pikërisht dijetarët e Kur’anit të mrekullueshëm e madhështor. Dijetarët e vërtetë janë pikërisht ata, prandaj i Lartësuari i përshkruan si: ehludh-dhikri, pra, ata që kujtojnë vazhdimisht mësimet e udhëzimet e Kur’anit.
Kur’ani përmban gjithçka që njerëzit kanë nevojë të dinë për çështjet e tyre të besimit dhe të jetës, për ato të dukshme e të shfaqura dhe për ato të fshehta e të padukshme. Allahu i Madhëruar thotë se e shpalli Kur’anin: “që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre.”
Kjo përfshin shpjegimin e tekstit dhe të termave të Shpalljes, por edhe të nënkuptimeve të saj. Më pas, duke përmendur detyrën që del para njerëzve, thotë: “që ata të mendojnë”, domethënë, të përsiaten thellë, që të nxjerrin prej tij njohuri dhe urtësi, në varësi të kapacitetit dhe të përkushtimit të tyre.