Select Page

– “Ata që i bënin shok Zotit thanë: “Sikur të kishte dashur Allahu, as ne e as prindërit tanë nuk do të adhuronim asgjë përveç Tij dhe nuk do të bënim haram asgjë, përveç ndalesave të Tij.” Kështu bënin edhe ata që ishin para tyre.” – Idhujtarët shpesh arsyetohen për idhujtarinë e tyre, duke thënë se kjo është dëshira dhe vullneti i Zotit. Ata thonë: “Sikur të donte Zoti, ne nuk do të binim idhujtari dhe as do të bënim haram ndonjë lloj bagëtie që Zoti e ka bërë hallall.” Sigurisht që ky është një justifikim bosh dhe aspak i argumentuar.

Nëse ky arsyetim do të ishte me vend, atëherë Allahu nuk do të ndëshkonte asnjë nga popujt e shkuar që bënin idhujtari. Përkundrazi, Ai i ndëshkoi ata me ndëshkimin më të ashpër. Nëse Ai do ta donte idhujtarinë prej tyre, kurrë nuk kishte për t’i ndëshkuar. E si mund t’i ndëshkonte për diçka që Vetë Ai e do?! Por qëllimi i tyre me këto justifikime është thjesht refuzimi i të vërtetës, që e sollën profetët. Në fakt, ata kanë dituri dhe siguri të plotë se nuk kanë asnjë argument bindës për të paraqitur para Zotit. Allahu i Lartësuar i urdhëroi dhe i ndaloi të përgjegjëshmit ligjërisht përmes ligjit e Shpalljes, që solli me profetët.

Nga ana tjetër, i pajisi ata me forcë dhe vullnet të mjaftueshëm për të vepruar me dëshirën e tyre të lirë. Kështu, çdokush që argumentohet për mosbindjen e vet përmes caktimit dhe vullnetit të Zotit, në fakt, ka bërë arsyetimin më të kotë dhe të pabazë që ekziston. Çdokush e di dhe dëshmon për faktin se njeriu është tërësisht i fuqishëm dhe i aftë që të bëjë çdo gjë që zgjedh të bëjë, pa e penguar askush. Prandaj ata që sjellin të tilla arsyetime e justifikime tregojnë se janë jo vetëm mohues të Shpalljes së Zotit dhe mesazhit të profetëve, por edhe shkelës të logjikës dhe arsyetimit të shëndoshë.

– “Por, a mos kanë të dërguarit detyrë tjetër, përveç kumtimit të qartë të shpalljes?” – Ai është një sqarim i qartë, i kuptueshëm, që depërton thellë në zemër dhe rreth të cilit askush nuk ka justifikim për të paraqitur para Zotit. Nëse njerëzve u vjen Shpallja e Zotit përmes profetëve, nëse u vijnë ligjet urdhëresat dhe ndalesat e Tij, dhe ata nuk binden e nënshtrohen, duke u arsyetuar me faktin se ky është caktimi e vullneti i Zotit, atëherë le ta dinë se kanë për të dhënë llogari te Zoti. Profetët nuk kanë asnjë çështje në dorën e tyre.