Select Page

– ”Ne ia mundësuam Sulejmanit të kuptonte (përgjigjen e saktë) për çështjen.” – Në këtë çështje, Allahu i mundësoi Sulejmanit të jepte një gjykim më të drejtë. Kjo nuk do të thotë që Allahu nuk i kishte dhënë edhe Daudit urtësi për çështje të tjera, prandaj duke i lëvduar të dy, at e bir, thotë:

– ”Secilit (prej tyre) u patëm dhënë urtësi e dituri.” – Kjo tregon, gjithashtu, se gjykatësi mund t’ia qëllojë së drejtës në gjykimin e tij, por mund edhe të gabojë. E rëndësishme është që ai të bëjë çdo gjë të mundshme për të vërtetën dhe drejtësinë. Më pas, Allahu i Madhëruar tregon edhe veçoritë e secilit prej tyre:

– ”Ne bëmë që malet dhe shpendët të Na madhërojnë (bëjnë tesbih) së bashku me Daudin. Ishim Ne që i bëmë (të gjitha këto). – Daudi ishte ndër më të përkushtuarit në adhurim, sidomos në drejtim të tesbih-ut, lavdërimit dhe madhërimit të Allahut, i Cili i kishte dhuruar një zë të mrekullueshëm. Zëri i tij ishte i pashembullt, aq sa kur ai i bënte tesbih Zotit, së bashku me të bënin tesbih malet e heshtura dhe zogjtë në qiell. Kjo ishte një dhunti e madhe nga Zoti, i Cili thotë: “Ne kemi mundësi dhe e bëmë”. Pra, ishte Allahu Ai që ia dhuroi dhe e bëri të ishte i tillë.