Select Page

– “Mos vallë po presin ata (idhujtarët) diçka tjetër përveç se t’u vijnë melekët (për t’ua marrë shpirtin) ose t’u vijë urdhri (dënimi) i Zotit tënd?” – E çfarë presin ata të cilët u erdhi Shpallja e Zotit dhe nuk e besuan atë, të cilët u qortuan e iu tërhoq vërejtja, por nuk morën mësim? Mos, vallë, presin t’u merret shpirti dhe të kalojnë në botën e të vdekurve? Apo  presin që të zbresë urdhri i Zotit për ndëshkimin e ashpër, me të cilin kërcënohen? Atëherë, ata tashmë e kanë bërë hak që t’i godasë ky ndëshkim.

– “Kështu bënë ata që ishin para tyre.” – Edhe ata e mohuan të vërtetën e Zotit dhe besimin e drejtë e të pastër. Kështu vazhduan, derisa i përfshiu ndëshkimi i Zotit, i ashpër dhe i dhembshëm.

– “Allahu nuk u bëri padrejtësi atyre, por ishin ata që i bënë padrejtësi vetvetes.” – Allahu i Madhëruar dhe i pastër nga çdo e metë. Ai nuk u bëri asnjë padrejtësi me këtë ndëshkim, por ata i bënë padrejtësi vetes së tyre. Allahu i Madhëruar i krijoi ata vetëm me një qëllim – që ta adhurojnë Atë si një të vetëm dhe të përkushtohen në adhurimin ndaj Tij.

Nëse do t’i përmbaheshin kësaj, përfundimi i tyre do të ishte nderimi dhe lumturia e përjetshme, e dhuruar nga Zoti. Po ata të mjerë i bënë padrejtësi vetvetes duke e braktisur e shpërfillur qëllimin, përse Zoti i krijoi, prandaj e dënuan veten me poshtërimin e përjetshëm dhe dëshpërimin e pafund, që kurrë nuk do t’u ndahet.