– “Janë ata të cilëve melekët ua marrin shpirtrat e mirë (e të pastër), duke u thënë: “Selamun alejkum!” – Ata janë të vazhdueshëm dhe këmbëngulës në devotshmërinë e tyre, e kështu vazhdojnë deri në momentin kur melekët shfaqen për t’u marrë shpirtin. Përveç devotshmërisë, Allahu i Madhëruar i përshkruan ata si “tajibin” – të mirë. Ata janë të pastër nga çdo ligësi, që mund t’u trazojë e të dëmtojë imanin në momentin e vdekjes.
Zemrat e tyre janë të mira, sepse janë pastruar përmes njohjes së Allahut dhe dashurisë për Të. Gjuha e tyre është e mirë, sepse përmendin shpesh Allahun, duke e lavdëruar shumë Atë. Gjymtyrët e tyre janë të mira, sepse i nënshtrohen me bindje Allahut. Kjo është gjendja e të zgjedhurve deri kur të shohin melekët e Zotit, në momentin e vdekjes.
Në ato çaste të vështira dhe të papërsëritshme, ata do të dëgjojnë fjalë të dashura dhe të ëmbla nga melekët e Zotit. Ata do t’u thonë: Selamun alejkum! Paqja dhe siguria e plotë është për ju! Ju tashmë jeni të sigurt nga çdo problem.
– “Hyni në Xhenet, për ato (punë të mira) që keni bërë!” – Çfarë përgëzimi i mrekullueshëm është ky, për gjithë ata besimtarë të sinqertë që jetojnë sipas besimit të pastër. Ata e besojnë Allahun me një besim korrekt, të ndriçuar nga drita e Shpalljes dhe punojnë sipas këtij besimi të pastër. Veprat e tyre të mira dhe adhurimi i sinqertë që i përkushtojnë Zotit është themeli i çdo të mire dhe shkaku kryesor që ata hyjnë në Xhenet dhe shpëtojnë nga Zjarri.
Dihet mirë se këto punë të mira janë rezultati dhe fryt i mëshirës, bamirësisë e bujarisë së Zotit me ta. Asgjë nuk vjen nga mundi i tyre i pakët dhe i mangët, por është Zoti që i inspiron dhe i mëshiron për të bërë punë të mira e adhurime të sinqerta, dhe pastaj ua pranon ato.