– “Zoti juaj është një Zot i vetëm (që meriton adhurimet).” – Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm. Allahu është Absoluti (Es-Samed). Ai nuk ka lindur askënd dhe nuk është i lindur (nga dikush). Asgjë (e askush) nuk mund të jetë si Ai.” [Ihlas].
– “Ata që nuk besojnë në Ahiret, i kanë zemrat të mbushura me mohim dhe janë kryeneçë.” – Ata që i kanë zemrat të mbushura me iman dhe urtësi, e madhërojnë dhe e respektojnë Allahun. Ata e lartësojnë Atë dhe e duan me një dashuri të madhe. Zemrat e tyre i nënshtrohen Allahut duke iu përkushtuar me gjitha mundësitë në kryerjen e adhurimeve trupore e pasurore.
Ata e adhurojnë Allahun përmes punëve të zemrës e punëve të gjymtyrëve, të dukshme e të fshehta. Ata e përlëvdojnë shumë Atë, me emrat e Tij të bukur dhe me cilësitë e veprat e Tij të pastra e të pashembullta. Ndërsa zemrat e mosbesimtarëve janë të prishura e nuk mund as t’i kuptojnë këto ndjenja adhurimi për Zotin.
Por këtë çështje të rëndësishme e mohojnë veçse krijesat më kryeneçe e të paditura. Njësimin e Zotit në adhurim e refuzojnë veçse zemërprishurit që, siç thotë Zoti: “… janë kryeneçë.” Pra, thjesht tregohen kryeneçë e arrogantë e nuk duan të përulen e ta adhurojnë Zotin.