– ”Edhe Lutin e bëmë profet dhe të ditur.” – Allahu i Madhëruar e lavdëron Profetin e Tij, Lutin (a.s), duke e përshkruar si dijetar të madh të fesë dhe gjykatës të drejtë për njerëzit. Allahu ia dhuroi diturinë dhe gjykueshmërinë e drejtë dhe Ai e dërgoi si profet në popullin e tij. Luti e ftoi popullin në adhurimin e Allahut dhe i paralajmëroi për ndëshkimin, për shkak të veprave të poshtra që kryenin. Ai i ftoi pandërprerë dhe pa u lodhur, por ata vazhduan në perversitetin e tyre.
– ”Ne e shpëtuam atë prej atij vendi që bënte vepra të ndyra.” – Ata nuk iu përgjigjën ftesës së tij, prandaj Allahu ua ktheu përmbys vendbanimet dhe u zbriti një dënim shfarosës, që nuk la asnjë të gjallë mbi dhe. Ata u ndëshkuan kështu, sepse – siç thotë edhe Allahu – ata ishin një popull i keq, që shkelën çdo kufi.
– ”Ata ishin një popull i keq dhe i shfrenuar.” – Ata e refuzuan njeriun që i ftonte në rrugën e Zotit, madje e kërcënuan se do ta dëbonin nga vendi. Por Allahu i Madhëruar e shpëtoi Lutin dhe familjen e tij, duke e urdhëruar që të iknin herët, pa çelur dita, që të largoheshin sa më shumë nga ai vend, i cili do të goditej nga zemërimi dhe ndëshkimi i Allahut. Kështu, ata u larguan dhe shpëtuan, me mirësinë dhe kujdesin e madh të Allahut.