Select Page

O ju që keni besuar! Falni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhurojeni!” – Allahu i Madhëruar i urdhëron robërit e Tij besimtarë për të falur namazin. Ai ka përmendur në mënyrë të veçantë rukunë dhe sexhden, për ta theksuar rëndësinë dhe vlerën e tyre dhe për të treguar se ato janë shtylla të domosdoshme të këtij riti, që qetëson syrin dhe shpirtin e besimtarit. Namazi është ngushëllimi i zemrës së trishtuar e të dëshpëruar.

Allahu i Madhëruar na tregon qartë se Ai është Zoti, Krijuesi, Sunduesi, që përkujdeset dhe na dhuron nga mirësitë e Tij dhe, si i tillë, vetëm Atij duhet t’ia përkushtojmë adhurimet me sinqeritetin e plotë. I Madhëruar është Zoti i botëve i Cili, duke u përkujdesur për robërit e Tij, i urdhëron për çdo të mirë dhe i mëson se çdo fitore, mirësi dhe shpëtim nga çdo e keqe e të dyja botëve është e lidhur ngushtë me çështjet që u përmendën më lart, prandaj:

– “Bëni punë të mira se do të gjeni shpëtim!” – Nëpërmjet besimit të pastër e korrekt, nëpërmjet namazit e njësimit të Zotit në adhurime, nëpërmjet veprave të mira, që kënaqin Zotin, arrihet lumturia dhe shpëtohet nga ndëshkimi. Nuk ka rrugë tjetër për të arritur fitoren, veç sinqeritetit në adhurimin e Krijuesit dhe përmes punës për të qenë i dobishëm për krijesat. Kujt i jepet kjo mirësi prej Zotit, i është dhuruar e gjithë lumturia, shpëtimi dhe mirësia.