Pasi përmendi Muhamedin (a.s) dhe Musain (a.s) dhe librat që u dha atyre, Allahu i Madhëruar kujton Ibrahimin (a.s):
– ”Ne ia dhamë Ibrahimit udhëzimin e tij më herët dhe dinim gjithçka për të.” – Ne ia dhamë Ibrahimit udhëzimin më herët, para dërgimit të Musait dhe të Muhamedit dhe para shpalljes së librave të tyre. Allahu i Madhëruar i tregoi Ibrahimit mbretëritë e qiejve dhe të tokës dhe i dhuroi një udhëzim të plotë, përmes së cilit ai përsosi veten dhe ftoi të tjerët. Askujt në botë pas Ibrahimit nuk iu dha ky udhëzim i mrekullueshëm dhe kjo ndihmë e madhe, përveç Muhamedit. Vini re se si Allahu i Madhëruar thotë: “udhëzimin e tij”.
Pra, sikur udhëzimi ishte nga Ibrahimi, sepse ai ishte vërtet i drejtë dhe i pastër, i natyrshëm në besimin e pastër monoteist. Gjendja dhe grada e tij e lartë ishte sipas besimit monoteist, me të cilin Zoti e pajisi dhe e urdhëroi që të nënshtrohej dhe të jetonte sipas tij. Në fakt, çdo besimtar është i udhëzuar. Shkalla e udhëzimit të tij është në varësi të imanit që ka në zemër, për të cilin kujdeset dhe punon për ta forcuar përmes veprave të mira. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: “…dhe dinim gjithçka për të.”
Allahu i dhuroi Ibrahimit udhëzimin, e dalloi me profetësinë, me dashurinë më të madhe që Ai mund t’i falë ndonjë krijese dhe me shumë veçori e shpërblime në të dyja jetët. Zoti e bëri këtë duke e ditur shumë mirë se Ibrahimi ishte i duhuri për t’u vlerësuar kështu. Ai ishte i pastër, i çiltër, i mençur. I Madhëruari përmend më pas polemikat e Ibrahimit me popullin e tij, kur i ndalonte nga idhujtaria. Ai ua theu idhujt dhe i bëri të heshtnin me argumentim të mençur dhe të urtë: