Thuaj, o Muhamed, të gjithë njerëzve:
– “Thuaj: “Unë veçse po ju paralajmëroj me anën e kësaj shpalljeje.” – Unë jam thjesht një Profet dhe nuk them asgjë nga vetja ime. Unë nuk zotëroj depot e mirësive të Allahut dhe as pretendoj se di të fshehtën. Nuk po ju them as se jam melek. Unë paralajmëroj veçse me atë që më shpallet nga Allahu. Nëse i përgjigjeni kësaj ftese, i jeni përgjigjur Allahut, i Cili do t’ju shpërblejë për këtë. Por nëse i ktheni shpinën e refuzoni, atëherë unë nuk kam në dorë asgjë. Gjithçka është në dorë të Zotit dhe çdo përcaktim është në dorë të Tij.
– ”Por, i shurdhëti nuk do ta dëgjojë thirrjen, edhe kur paralajmërohet.” – i shurdhëti nuk dëgjon asnjë zë, sepse dëgjimi i tij është shkatërruar. Edhe pse zëri ekziston, ai mund të dëgjohet veçse nëse ke aftësinë për të dëgjuar. Po kështu, Shpallja ngjall shpirtin dhe zemrën dhe bën të mundur që njeriu të kuptojë mesazhin e Zotit dhe çfarë Ai dëshiron. Megjithatë, nëse zemra nuk është në gjendje dhe nuk e ka aftësinë që të dëgjojë udhëzimin, atëherë ajo është njëlloj si i shurdhëti, prandaj nuk ka për të përfituar aspak nga udhëzimi dhe feja. Idhujtarët janë të shurdhër ndaj udhëzimit, prandaj mos u çudit që ata nuk e ndjekin dhe nuk i kushtojnë vëmendje atij, sidomos kur janë të zhytur në dëfrime dhe as që e shohin apo ta ndiejnë dënimin.