– ”Është Allahu Ai që krijoi Natën dhe Ditën, Diellin dhe Hënën. Të gjithë (trupat qiellorë) notojnë – secili në orbitën e tij (të caktuar).” – Sa i lartë, i gjerë dhe i paanë është qielli! Sa madhështor dhe me ngjyrë të bukur duket nga toka! Ai është i përkryer në mënyrë të habitshme. Sa të bukura dhe të rregullta janë pamjet dhe konstilacionet që shfaqen në të! Sa bukur janë vendosur dielli dhe hëna në të! Sa i domosdoshëm është dielli, që ndriçon ditën, por edhe hëna, që ndriçon gjatë natës! Secili nga këta trupa lëvizin në mënyrë të vazhdueshme në rrugën e tyre.
Sa të rregullta janë lëvizjet e yjeve dhe pozicionet e tyre! Njerëzit përfitojnë shumë prej trupave qiellorë, si: të ngrohtit, të ftohtit, stinët, llogaritjen e kohës për punët dhe për adhurimet e tyre etj. Gjatë natës, krijesat çlodhen dhe qetësohen, ndërsa gjatë ditës shpërndahen për të kërkuar mirësitë e Allahut. Atëherë, çdo i mençur që mendon për këto dukuri që i sheh çdo ditë e natë, do të arrijë në përfundimin e sigurt se kjo botë është krijuar nga Zoti me një afat të caktuar dhe me një qëllim të caktuar.
Në këtë botë, Zoti u ka mundësuar njerëzve të arrijnë kënaqësi dhe mirësi të shumta, por në fund ajo do të shkojë drejt shkatërrimit dhe zhdukjes. Këtë do ta bëjë Allahu, pra, Ai që e solli në ekzistencë. Pas kësaj, të gjithë të përgjegjshmit ligjërisht (njerëz e xhindë) do të kalojnë në një tjetër vend, ndryshe nga ky ku jetojmë tani, dhe atje do të marrin atë që meritojnë, shpërblimin ose ndëshkimin për veprat e tyre. Atëherë do ta kuptojnë dhe do të binden se qëllimi i kësaj bote ka qenë mbjellja e asaj që do të korret në ahiret. Kjo botë është vend kalimi e udhëtimi, jo vend qëndrimi e prehjeje.