– “Megjithatë ata kërkojnë prej teje t’ua përshpejtosh Dënimin! Por Allahu nuk e thyen premtimin e Vet.” – Këta mohues të së vërtetës të kërkojnë ngutjen e ndëshkimit, a thua sikur sfidojnë Zotin dhe shprehin haptas mohimin e profetëve. Por harrojnë këta të mjerë se Allahu i Madhëruar nuk e thyen premtimin e Tij. Nëse Zoti ka kërcënuar se do të ndodhë diçka, asgjë nuk mund ta pengojë atë. Ndëshkimit të Zotit nuk mund t’i shmanget e shpëtojë askush. Ndërsa përshpejtimi i ndëshkimit nuk është në dorën tënde, o Muhamed! Këto tone sfiduese të përdorura nga mohuesit nuk duhet të të shqetësojnë dhe ndikojnë tek ti. Para atyre të mjerëve është Kijameti, kur do të tubohen të parët dhe të fundit dhe të gjithë do të shpërblehen për veprat e tyre. Mbi ata të mjerë do të bjerë ndëshkimi i dhembshëm dhe i përjetshëm.
– “Një ditë te Zoti yt është sa një mijë vjet sipas llogaritjes tuaj.” – Kështu do të duket ajo ditë, nga dhimbjet e mëdha që do të përjetojnë të ndëshkuarit gjatë saj. Vonohet ose jo dënimi i tyre në këtë jetë, kjo nuk ka shumë rëndësi, por Ditës së Gjykimit nuk kanë për t’i shpëtuar dhe shmangur kurrë. Ky është njëri nga kuptimet e ajetit. Ka mundësi, gjithashtu, që kuptimi i ajetit të jetë se Allahu i Madhëruar është El Halim – i Mëshirshëm, që nuk nxitohet të ndëshkojë, edhe pse është i Plotfuqishëm, edhe pse ata e kërkojnë përshpejtimin e ndëshkimit. Një ditë tek Zoti është si 1000 vjet, ashtu i si llogarisni ju. Edhe pse ju duket larg dënimi i Tij, dijeni se Allahu – edhe pse mund të të afatizojë për një kohë të gjatë – Ai kurrë nuk ka për t’i lënë në harresë e braktisë krijesat e Tij. Por kur dënimi i Tij godet mbi zullumqarët, ata nuk mund t’i shpëtojnë.