– “Ata po të mohojnë ty, por edhe të tjerët para tyre mohuan, si populli i Nuhut, Adi dhe Themudi, populli i Ibrahimit dhe populli i Lutit, edhe banorët e Medjenit, gjithashtu. Kështu u mohua edhe Musai.“ – Allahu i Madhëruar i drejtohet Profetit të Tij dhe i thotë se, nëse e mohojnë ata idhujtarë, ta dijë se nuk është i vetmi profet që e kanë mohuar e luftuar! Po kështu, edhe ata nuk janë populli i parë që kanë mohuar profetin e tyre. Kështu mohuan edhe populli i Ibrahimit, Nuhut, Adit, Themudit, Lutit dhe populli i Shuajbit. Po kështu mohuan edhe populli i Musait (a.s).
– “Unë u pata dhënë afat jobesimtarëve …“ – Allahu i Madhëruar u dha afat mohuesve të së vërtetës dhe nuk u nxitua t’i ndëshkonte. Ai i afatizoi, por ata vazhduan në të kotën dhe në shfrenimin e tyre në kalimin e kufijve të Zotit. Ata po zhyteshin edhe më thellë në mohimin e Zotit dhe në ligësitë e tyre.
– “… dhe më pas i dënova.“ – Ai i ndëshkoi ata ashtu siç di të ndëshkojë Krenari, Ngadhënjimtari dhe i Plotpushtetshmi.
– “Por (a e di) si ishte dënim Im?“ – A e di se si e ndëshkoi Zoti mohimin e tyre? Ai ishte ndëshkimi më i ashpër dhe i pashembullt. Disa i ndëshkoi duke i përmbytur, të tjerë i rrëmbeu një britmë e fuqishme. Disa u ndëshkuan me furtunë shkatërruese e për ca të tjerë u hap toka dhe i përpiu brenda. Disave u dërgoi dënimin e “ditës së hijes” dhe i shkatërroi me rrufe. Atëherë, le të marin masa këta mohues të së vërtetës, që të mos i godasë ndonjë nga këto ndëshkime. Le ta dinë se nuk janë më të mirë e më të fortë se ata popuj, dhe as u është dhënë ndonjë premtim në librat e Zotit se do të jenë të ruajtur! Sa e sa popuj që bënin punë të ngjashme me këta të mjerë janë shkatërruar?
– “Sa e sa fshatra keqbërësish kemi goditur, …“ – Jaë të shumtë popujt që Ne i shkatërruam me ndëshkime të rënda e poshtërim që në jetën e dynjasë. Ata e merituan këtë, sepse ishin keqbërës dhe të zhytur në padrejtësi, që refuzonin besimin te Zoti dhe profetët e Tij. Ndëshkimi i Zotit nuk ishte aspak i padrejtë ndaj tyre. Pas këtij ndëshkimi të drejtë, vendbanimet e tyre u shkretuan, siç thotë Zoti:
– “… që janë rrënuar tërësisht.“ – Ndërtesat, kështjellat e muret e tyre u shembën nga themelet. Ato që kishin qenë dikur aq të shndritshme e madhështore, me jetë plot kënaqësi e gjallëri, u shndërruan në gërmadha të frikshme e të braktisura.
– “Puset janë braktisur e pallatet e larta janë shkretuar.“ – Ishin sa e sa burime e puse me ujë të freskët, ku njerëzit dhe kafshët e tyre shkonin për të pirë, ndërsa tashmë nuk ka kush shkon më atje, madje edhe burimet kanë shteruar. Ishin ndërtuar pallate e kështjella të bukura e madhështore, por kur erdhi ndëshkimi i Zotit, ato nuk u vlejtën aspak, madje u shkatërruan e u shndërruan në gërmadha. Kjo u bë që të shërbejë si mësim për të mençurit, që meditojnë rreth tyre. Më pas, Allahu i Madhëruar i fton adhuruesit e Tij që të udhëtojnë nëpër tokë, që të shohin dhe të nxjerrin mësime. Ai thotë:
– “A nuk udhëtojnë ata nëpër tokë, që zemrat e tyre të mund të mësojnë urtësinë dhe veshët e tyre të mund të dëgjojnë (të mirën)?!“ – Pse nuk udhëtojnë ata me zemrat dhe trupin e tyre? Allahu i nxit të udhëtojnë me zemrat e tyre, që të kuptojnë shenjat e Tij dhe të meditojnë, për të nxjerrë mësimet që do Ai. Le të dëgjojnë edhe historitë e popujve të shkuar të ndëshkuar nga Zoti. Udhëtimi vetëm me qëllimin për të parë me sy e dëgjuar me veshë dhe lodhja trupore pa vënë në përdorim meditimin dhe pa përfituar mësime, është diçka e padobishme, që nuk sjell mirësitë e synuara.
– “Vërtet, nuk verbohen sytë, por verbohen zemrat në kraharor.“ – Verbëria që dëmton e njeriun tek feja është verbëria e zemrës, që e pengon atë të shohë të vërtetën, ashtu si verbëria e syve nuk e lë njeriun që të shohë botën, por verbëria e syve është thjesht një sprovë e kësaj jete.