– “Allahu i mbron (nga e keqja) ata që besuan.“ – Ky është njëherazi një njoftim, premtim dhe përgëzim i mrekullueshëm nga Allahu për ata që e besojnë Atë. Allahu do të largojë prej tyre çdo të keqe dhe këtë do ta bëjë për shkak të imanit të tyre. Ai do t’i ruajë besimtarët e Tij nga e keqja e mohuesve, nga vesveset e shejtanit, nga e keqja e veteve të tyre, nga pasojat që sjellin veprat e tyre të këqija dhe çdo e keqe tjetër. Edhe gjatë fatkeqësive, Ai ua lehtëson barrën e rëndë. Çdo besimtari do t’i ofrohet kjo mbrojtje e ndihmë, në varësi të imanit të tij, pra, dikujt më shumë e dikujt më pak.
– “Me të vërtetë, Allahu nuk e do askënd që është tradhtar e mohues (i besimit të drejtë).“ – Këta janë ata që tradhtojnë amanetin e Zotit, me të cilin Ai i ngarkoi. Ata shpërfillin të drejtat e Zotit dhe adhurimin e Tij si Një të Vetëm. Ata shkelin edhe të drejtat e krijesave dhe përgjegjësitë ndaj tyre. Ata janë mohues të mirësive të Allahut e mosmirënjohës. Allahu i Madhëruar u jep me bujari nga mirësitë e Tij, ndërsa ata ia kthejnë me padrejtësi, mohim e mosbindje. Ata nuk i do Allahu, përkundrazi i urren dhe është i zemëruar me ta. Ai ka për t’i ndëshkuar ata për mosbesimin dhe shkeljen e amanetit të Tij. Nga ajeti kuptojmë se Allahu i do ata që janë besnikë ndaj amaneteve, që i plotësojnë ato me korrektësi dhe tregohen mirënjohës ndaj të dashurit të tyre, Allahut Bujar dhe Mëshirëplotë.