Allahu i Madhëruar na tregon për gjendjen e tmerrshme dhe të shëmtuar në të cilën ndodhen idhujtarët dhe ata që refuzojnë ta besojnë Atë. Ata kanë dy të këqija: mohimin e Zotit, të profetëve dhe të shpalljeve të tyre dhe pengimin e njerëzve nga rruga e Zotit dhe imani i pastër. Idhujtarët i pengonin njerëzit nga Xhamia e Shenjtë, e cila nuk ishte pronë e tyre dhe as e etërve të tyre. Të gjithë njerëzit kanë të drejtë të barabartë në atë xhami, si ata që jetojnë pranë saj, si ata që vijnë prej së largu. Madje, ata penguan nga ajo xhami më të mirin e krijesave, Muhamedin (a.s) dhe shokët e tij. Krimi i tyre ishte edhe më i shëmtuar, nëse përmendim faktin se ajo xhami nuk është si çdo xhami tjetër.
Qabeja është një xhami e shenjtë, ku ndalohet që të bëhen padrejtësi, prandaj ajo duhet respektuar. Allahu na tregon se çdokush që synon të keqen dhe përhapjen e mosbesimit në të, Ai ka për t’i dhënë një dënim të dhembshëm. Pra, thjesht me synimin e kësaj të keqeje në Xhaminë e Shenjtë, edhe pa e vënë në jetë atë, e meriton ndëshkimin. Në kushte të tjera, nëse dikush thjesht ka qëllimin të bëjë një të keqe, por nuk e vepron atë, nuk ndëshkohet. Nëse kjo është vlera e kësaj xhamie, si do të jetë dënimi i atij njeriu që bën në të më të madhin krim e padrejtësi: mosbesimin dhe idhujtarinë?! Po ai që, përveçse nuk beson vetë, pengon edhe të tjerët, që duan ta vizitojnë atë? Si mendon se do të veprojë Zoti me ta? Në këtë ajet tregohet se është detyrë të nderohet dhe respektohet vendi i shenjtë, ashtu siç ka urdhëruar Zoti. Ne duhet të ruhemi më shumë nga gjynahet në të tilla vende.