Select Page

– “Sikur të kishte në to zota të tjerë veç Allahut, ato do të shkatërroheshin.” – Nëse do të ekzistonin në qiej dhe në tokë dy Zota, ata dhe çdo krijesë do të ishin shkatërruar. Për ta kuptuar më mirë këtë, le të meditojmë pak në krijimin e qiejve dhe të tokës, në botën qiellore dhe atë tokësore, për aq sa mund të shohim dhe dimë për to. Çdo gjë është në perfeksion, në rregull dhe funksionon sipas një ligji shumë të saktë e preciz, që nuk ka asnjë të metë. Çdo gjë në gjithësi i është nënshtruar tërësisht një ligji të saktë dhe kurrë nuk del jashtë tij.

Kjo tregon se Ai që rregullon dhe administron çështjet e kësaj gjithësie është Një dhe i vetëm. Ashtu siç e pranojmë se Krijuesi, Rregulluesi dhe Ligjvënësi i këtij krijimi është Një dhe i vetëm, ashtu duhet të besojmë se Ai është i vetmi që meriton të adhurohet dhe që t’i nënshtrohesh dhe të jetosh sipas ligjit të Tij. Nëse do të kishte më shumë se një rregullues, atëherë ai ligj i rregullt do të prishej, sepse ata të dy do të binin në konflikt e do të kërkonin secili të dilte mbi tjetrin. Nëse njëri do të dëshironte diçka dhe tjetri jo, atëherë mundësitë janë: ose të realizohen të dyja të kundërtat, gjë që është e pamundur; ose të realizohet dëshira e njërit, gjë që tregon se tjetri është i pafuqishëm dhe, si i tillë, ai nuk është Zot. Një mundësi e tretë është që ata të bien dakord për çdo çështje, por edhe kjo është e pamundur.

Kjo tregon se ka vetëm një mundësi. I Plotpushtetshmi është vetëm Një i vetëm, që pushtetin dhe vullnetin e Tij nuk e ndan me asnjë dhe Atë nuk e pengon dot askush. Allahu i Madhëruar përmend këtë argument, që tregon se nuk mund të pranohen dy zota: “Allahu nuk ka zgjedhur për Vete asnjë fëmijë (as nga melekët, e as nga njerëzit) dhe, përveç Tij, nuk ka ndonjë të adhuruar tjetër, përndryshe secili zot do të sundonte atë që ka krijuar, dhe do të dominonin njëri mbi tjetrin. I lartë dhe i dëlirë është Allahu nga shpifjet e tyre. Ai e di të fshehtën e të dukshmen. Ai është i dëlirë nga ajo që ata i shoqërojnë.” I njëjtë me këtë është edhe ajeti tjetër, sipas njërit prej kuptimeve të tij: “Thuaj: “Sikur të kishte zota të tjerë përveç Atij, sikundër thonë ata, atëherë ata (zotat) do të kërkonin rrugë për mbizotërim ndaj Zotit të Fronit (për t’ia marrë pushtetin)”. I dëlirë dhe i lartësuar qoftë Ai nga ato gënjeshtra që thonë ata!”

– “Larg asaj që i përshkruajnë është Allahu, Zoti i Fronit!” – I pastër, pa të meta dhe i lartësuar është Allahu nga çdo mangësi. Ai është i Vetmi dhe Absoluti në të gjitha cilësitë dhe emrat e bukur që ka. Allahu është: “Zoti i Fronit”. Froni është mbulesa e të gjitha krijesave dhe krijesa më madhështore e Zotit. Zoti i Fronit është edhe Zoti i të gjitha krijesave poshtë tij. I pastër është Allahu nga shpifjet e trillimet e mohuesve. Ai nuk ka nevojë për bir apo grua, ashtu si nuk ka nevojë për partner e ndihmës në pushtetin e Tij.